4 korriku në SHBA, dita kur Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë 205 vite më parë

Amerikë | 3 muaj më parë

Pas nisjes, në prill të vitit 1775, të betejave të para të Luftës Revolucionare kundër sundimit britanik, pak kolonë dëshironin pavarësi të plotë nga Britania e Madhe, ndërsa ata që e kërkonin një gjë të tillë cilësoheshin si radikalë.

Megjithatë, në mesin e vitit 1776, gjithnjë e më shumë kolonë dolën në mbështetje të pavarësisë, si pasojë e rritjes së pakënaqësisë ndaj sundimit britanik dhe përhapjes së ideve revolucionare.

Në 7 qershor të atij viti, kur në Filadelfia u mblodh Kongresi i dytë kontinental, që gjatë revolucionit amerikan shërbeu si qeveria e 13 kolonive, delegati i Virxhinias Richard Henry Lee paraqiti një rezolutë ku bëhej thirrje për shpalljen e pavarësisë së këtyre kolonive.

Mes debatesh, Kongresi shtyu votimin e rezolutës së Lee dhe caktoi një komitet me pesë anëtarë: Thomas Jefferson nga Virxhinia, John Adams nga Massachusetts, Roger Sherman nga Konektikati, Benjamin Franklin nga Pensilvania dhe Robert Livingston nga Nju Jorku, për të përpiluar një deklaratë zyrtare shpjeguese për shkëputjen nga Britania e Madhe.

Më datë 2 korrik 1776, Kongresi miratoi rezolutën, ndërsa më datë 4 korrik miratoi zyrtarisht Deklaratën e Pavarësisë, teksti i së cilës ishte shkruar në pjesën më të madhe nga Jefferson dhe që përfshinte një listë ankesash kryesisht kundër mbretit Xhorxhi III, shprehte parimet themelore të lirisë amerikane dhe të drejtave të njeriut.

“Besojmë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, dhe se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë apo ta rrëzojë atë”, shkruhej në deklaratë.

Që në vitin 1777, amerikanët filluan ta përkujtonin 4 Korrikun si Ditën e Pavarësisë. Në vitin 1870, Kongresi i Shteteve të Bashkuara e shpalli 4 Korrikun festë federale. Kjo ditë mbetet një nga simbolet më të rëndësishme të patriotizmit dhe identitetit kombëtar amerikan.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme