47 deputetë të grupit Bardhi-Berisha letër Nikollës: Të ndryshohet përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore

47 deputetë të opozitës, të grupimit Bardhi-Berisha, i kanë bërë kërkesë kryetares së Kuvendit për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të reformës Zgjedhore.
Kërkesa u është dërguar edhe Ambasadorëve të Quint-it dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, ku 43 deputetët e PD të grupimit Bardhi-Berisha, 3 deputetët e Partisë së Lirisë dhe deputeti i PD Agron Shehaj, kanë kërkuar ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
“47 deputetët e opozitës, të cilët sëbashku me 7 deputetët e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Integrim që kanë caktuar Shpëtim Idrizin si anëtarë të tyre, përbëjnë shumicën absolute të deputetëve të opozitës. Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar për reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, nga ana tjetër Kuvendi ka detyrimin për të reflektuar edhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen kryesisht me formulën ligjore të përllogaritjes së mandateve për deputet, si dhe votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”, thuhet në letrën e tyre.
Deputetët theksojnë se puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore u bllokua për rreth 2 vite nga bashkëkryetarët aktual.
“Për shkak se në 18 muaj Komisioni i Posaçëm zhvilloi vetëm dy mbledhje inaguruese dhe nuk përmbushi përgjegjësinë e ngarkuar nga Kuvendi dhe as afatet e kalendarit të punës që kishte miratuar vetë, në 14 Maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje pa asnjë ndryshim ligjor dhe pa adresuar asnjë nga Rekomandimet e OSBE-ODIHR të vitit 2021. Nga kjo analizë rezultoi e provuar që qartësisht Reforma Zgjedhore po lihej në heshtje, po mbahej qëllimisht e bllokuar, edhe pse koha po kalonte dhe zgjedhjet e ardhshme ishin afër. Është e drejtë e trupës që ka mandatuar përfaqësuesit që të rishoh rolin e tyre, si dhe t’i mbajë përgjegjës kur cenohen interesat politike apo kur shpërdorohet besimi i dhënë. Në këtë kuptim, koha e mjaftueshme prej 22 muajsh për të ushtruar përgjegjësinë e ngarkuar dhe mungesa e progresit në këtë çështje, e bën të domosdoshëm ndryshimin e përbërjes së Komisionit”, thuhet në shkresë.
Deputetët evidentojnë në kërkesë se “7 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të cilët mungonin në mbledhje (Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano, Flutura Acka, Kreshnik Çollaku, Lulzim Basha, dhe Orjola Pampuri) shprehin vullnetin të përfaqësohen me një anëtar të zgjedhur prej tyre, atëherë grupi parlamentar shpreh gadishmërinë për të tërhequr një anëtar nga propozimi dhe caktimin e njërit prej kolegëve që mungon në mbledhje si anëtar të Komisionit”.
Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet ditën e premte më 26 janar, ku “Rithemelimi” ka deklaruar se do të vijojë aksionin opozitar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




