6 muaj President, Bajram Begaj flet për herë të parë/ Nga marrëdhënia me Ramën, PD-në e ndarë, tek ligji i munguar i kreut të Shtetit: Mbrojtja e Kushtetutës, kompetenca më e rëndësishme

Pas 6 muajsh në detyrë, Presidenti Bajram Begaj, ka dhënë një nga intervistat e rralla për median. Në emisionin “Pa Censurë” me gazetaren Elona Meço, Presidenti ka folur për disa çështje të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti me kompetencat e tij, duke vënë në dukje se ka një mision në këtë mandat. “Nuk e mas postin e Presidentit me numrin e kompetecave që ai ka. E mas me përgjegjshmërinë dhe ndershmërinë e kryerjes së detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe në zbatim të plotë të ligjeve. Besoj se kompetencë më të rëndësishme sesa mbrojtja e Kushtetutës nuk ka.”- u shpreh Presidenti i Republikës në intervistën për RTSH. Ai foli hapur për nevojën e një ligji për organizimin dhe funksionimin e Presidentit, duke qenë se ky është organi i vetëm kushtetues pa një ligj të tillë. “në punën tonë të përditshme vërehen disa problematika që duhen adresuar dhe besoj se adresimi më i mirë i tij do të jetë përmes ligjit të presidentit.”- tha Presidenti për emisionin “Pa Censurë”, ku flet edhe për marrëdhënien që ka me kryeministrin Edi Rama dhe opozitën e ndarë në dy pjesë.
PJESË NGA INTERVISTA NË EMISIONIN “PA CENSURË”
Elona Meço: Pra, ia vlen të jesh president, megjithëse kanë mbetur më pak kompetenca të rëndësishme për presidentin pas reformës në drejtësi veçaërisht?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk e mas postin e Presidentit me numrin e kompetecave që ai ka. E mas me përgjegjshmërinë dhe ndershmërinë e kryerjes së detyrës, në respekt të Kushtetutës dhe në zbatim të plotë të ligjeve. Besoj se kompetencë më të rëndësishme sesa mbrojtja e Kushtetutës nuk ka.
Elona Meço: Para zgjedhjes suaj si President, Kryeministri Rama premtoi edhe miratimin e një ligji të posaçëm për presidentin, i cili është i vetmi organ kushtetues pa një ligj të veçantë për organizimin dhe funksionimin e tij. Deri tani nuk është berë, por a mendoni se ky ligj është i nevojshëm për të rregulluar veprimtarinë e presidentit, kompetencat e tij?
Presidenti Bajram Begaj: Siç e përmendët dhe ju, institucioni i Presidentit është një organ kushtetues. Ligji i presdidentit është i nevojshëm. Ëshë i nevojshëm për të përcaktuar veprimtrinë e presidentit të Republikës. Është i nevojshëm për të bërë organizimin e brendshëm institucional. Është i nevojshëm për të përcaktuar aktet dhe procedurat që i duhen presidentit për të ushtruar kompetencat e tij. Është i nevojshëm për faktin e plotësimit të rekomndimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.
Elona Meço: Keni diçka në mendje që nuk është ende mirëpërcaktuar?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk është një gjë personale që unë e kam në mendje, por në punën tonë të përditshme vërehen disa problematika që duhen adresuar dhe besoj se adresimi më i mirë i tij do të jetë përmes ligjit të presidentit.
Elona Meço: 6 muaj në detyrë janë mjaftueshëm besoj për të vendosur disa korniza institucionale dhe personale me individë të caktuar. Çfarë marrëdhënie keni me kryeministrin Rama?
Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk vendos korniza institucionale. Unë respektoj dhe zbatoj kornizat institucionale që ditën e parë që marr detyrën. Korniza institucionale është tërësia e ligjeve, rregullave, procedurave, akteve që rregullojnë funksionin e institucionit dhe marrëdhëniet mes institucioneve. Në çdo detyrë timen të mëparshme, kam zbatuar rigorozisht kornizën institucionale. Dhe në këtë rast, si President i Republikës, nuk e përjashtoj veten nga zbatimi në mënyrë rigoroze i kornizës institucionale. Marrëdhënia ime me kryeministrin Rama dhe me çdo personalitet politik ose jo është në kuadrin e një kornize institucionale.
Elona Meço: Nuk e keni kaluar përtej këtë kornizë, sepse psh, kur e prisni apo e përcillni në derën e Presidentit, ju kemi parë të qeshur. Keni një marrëdhënie përtej institucionales?
Presidenti Bajram Begaj: Besoj se ne kemi një kod familje, që, kur përcjellim mikun nga shtëpia e përcjellim deri tek dera jashtë.
Elona Meço: Për shkak të mënyrës që zgjodhi qeveria për emërimin e Presidentit, opozita shprehet skeptike për paanshmërinë tuaj. Ajo as nuk erdhi në seancën e votimit tuaj. Keni bërë ndonjë përpjekje për ta fituar besimin e opozitës?
Presidenti Bajram Begaj: Nuk është qeveria që zgjedh apo emëron Presidentin e Reoublikës. Procedura është shumë qartë e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që thotë “Presidenti zgjidhet nga një propozim i bërë nga një grup jo më pak se 20 deputetësh,”…
Elona Meço: Të cilët ishin të gjithë të qeverisë, prandaj iu referova si zgjedhje nga qeveria.
Presidenti Bajram Begaj: Të cilët paraqesin kandidaturën në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi, në seancë plenare, bën votimin e fshehtë dhe pa debat të kandidatit. Në fakt, gjatë gjithë 6 mujorit që jam në detyrë, kam treguar se jam i paanshëm dhe në betimin tim në parlament kam thënë që do të qendroj mbi palët.
Elona Meço: Si e keni bërë këtë?
Presidenti Bajram Begaj: Në çdo aktivitet, në çdo ceremoni, në çdo inisiativë, në çdo tur që ka zhvilluar Presidenti i Republikës ka patur prezent edhe deputetë të opozitës.
Elona Meço: Më lejoni t’ju pyes, të cilës opozitë? Sepse opozita është e ndarë në dy pjesë. Dhe këtu po kaloj tek pyetja tjetër. Si keni mundur të krijoni nja balancë mes dy pjesëve të PD-së? Merrni një deputet nga zoti Berisha, një nga grupi tjetër parlametar?
Presidenti Bajram Begaj: Mbështes dhe respektoj opozitën për vlerat që ajo përfaqëson. E konsideroj opozitën shqiptare si shumë të rëndësishme për proceset demokratike të vendit. E shikoj shumë të rëndësishme për pjesëmarrjen e saj në proceset integruese dhe, çfarë është më e rëndësishme, në reformën në drejëtësi. Unë kam komunikim dhe do të vazhdoj të kem komunikim me opozitën shqiptare. Nuk mund të përcaktoj unë se kush është kryetari i opozitës, por që të kem marrëdhënie të mira me ta është absolutisht e nevojshme.
Elona Meço: Pra, ju keni komunikim edhe me pjesën e zotit Berisha, edhe me pjesën e zotit Alibeaj apo jo?
Presidenti Bajram Begaj: Stafi ka komunikim me të gjithë opozitën shqiptare.
Elona Meço: Nuk ndiheni i bojkotuar nga pjesa e zotit Berisha? Zoti Berisha psh nuk ishte i pranishëm as në inaugurimin tuaj si president. Presidenti Bajram Begaj: Kur thashë pak më parë se unë respektoj dhe zbatoj kornizën institucionale, edhe në këtë rast është zbatuar në mënyrë rigoroze protokolli i shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




