“700 mijë dollarë ndaj kompanisë offshore’, Ilir Meta paralajmëron padi pas akuzave nga media austriake

Politikë | 5 vite më parë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas shkrimit të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung” sipas së cilës një person ka kërkuar mbrojtje në Austri pasi është kërcënuar me jetë pas zbulimit të aferës së kreut të shtetit.

Në artikullin e “Kronen Zeitung” shkruhet se Ilir Meta për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit amerikan Donald Trump pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë.

“Vetë Meta pretendon se është ftuar nga republikanët. Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700,000 nga një avokat i afërt me Metën kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited.”, shkruan gazeta.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi i konsideron akuzat ndaj Metës si shpifje dhe gënjeshtra, të cilat e kanë marrë përgjigjen shumë kohë më parë në mënyrë të qartë.

Pas akuzave, Kreu i shtetit paralajmëroi padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore”.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është njohur sot me një shkrim pa autor të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung”, artikull që përmban veçse shpifje dhe gënjeshtra, të hershme dhe të konsumuara prej vitesh. Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjësuese, që në prill të vitit 2018. Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake. Presidenti i Republikës, ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore”, shkruan Blushi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme