9 persona arrestohen në Zubin Potok për krime lufte, operacioni lidhet me “Grupin e intelektualëve” të zhdukur në 1999
Nëntë persona janë arrestuar në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga Policia e Kosovës me emrin e koduar “Dosja 23”.
Sipas policisë, operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ku 23 persona u zhdukën gjatë luftës së vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve dyshohet se u gjetën në tre varreza masive në fshatin Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Më 19 shtator, pas përgjigjeve të analizës së ADN-së, kryeministri Albin Kurti njoftoi se ishte konfirmuar se mbetjet mortore të tre prej viktimave të gjetura në ato varreza masive i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”.
Ky grup përbëhej kryesisht nga qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftim.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12 mijë e 230 viktima të asaj lufte.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




