Berisha dëshmon në SPAK për çështjen “Gjoka”: Më thirrën javën e fundit me shpresën se s’do të më gjenin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit për rreth 30 minuta në SPAK, ku u mor në pyetje për herë të parë në cilësinë e kallëzuesit në çështjen ndaj gjyqtares Irena Gjoka.
Pyetja e tij është pjesë e veprimeve hetimore të kërkuara nga Gjykata e Posaçme, e cila më 19 maj e ktheu çështjen për plotësim hetimesh, duke i caktuar SPAK-ut një afat prej gjashtë muajsh.
Pas daljes nga prokuroria, Berisha përsëriti akuzat ndaj Gjokës për mos deklarim të dëbimeve dhe të një dënimi penal në Greqi, si dhe për falsifikim dokumentesh.
Ai pretendoi gjithashtu se thirrja e tij ishte bërë qëllimisht në ditët e fundit të afatit hetimor. Kreu i PD-së paralajmëroi kallëzime edhe ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
“U thirrëm në limitet e afatit gjashtëmujor, në javën e fundit të këtij afati, me shpresën se nuk do të gjendej në Shqipëri dhe se këta mund ta mbyllnin çështjen me pretendimin se nuk u gjet. Do të ngrihet padi penale ndaj tyre, atëherë kur ta gjykojë oportune vetë, dhe do t’i informojë të gjithë. Absolutisht, në përputhje me ligjet e këtij vendi, do të ketë kallëzim penal për çështjen Gjoka”, u shpreh ai.
Përplasja lidhet edhe me rolin e Gjokës në dosjen “Partizani”, ku Berisha është marrë i pandehur për korrupsion dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për korrupsion dhe pastrim parash.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




