Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në pothuajse 2.7 miliardë lekë

Banka e Shqipërisë bëri të ditur të martën se bankat kanë shlyer plotësisht edhe kontributin e vitit të katërt të për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Sipas njoftimit të BSH, në prill të këtij viti fondi u shtua me 664 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave.
Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për katër vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në rreth 2.67 miliardë lekë. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.
Në zbatim të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit. Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 6.64 miliardë lekë brenda vitit 2027.
Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2021, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 664 milionë lekë. Kontributi vjetor i llogaritur sipas rregullores nr. 56/2017 “Për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe procedurat administrimit të tij”, e ndryshuar, u pagua i plotë në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sistemit bankar, brenda datës 30 prill 2021.
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.
Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




