Armë zjarri dhe jelek antiplumb, arrestohet në Rrugën e Elbasanit 49-vjeçari me precedentë penalë

Aktualitet | 1 orë më parë

Një 49-vjeçar me precedentë të theksuar për krime kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke lëvizur me motomjet dhe duke transportuar një armë zjarri me municion.

Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu një jelek antiplumb, motomjeti dhe telefoni celular i të dyshuarit.

Operacioni policor i koduar “Eksponenti” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas administrimit të informacionit të siguruar në rrugë operative.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E.D., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas Policisë, motomjeti me të cilin lëvizte 49-vjeçari u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën një armë zjarri pistoletë me municion, të cilën dyshohet se ai kishte për qëllim ta trafikonte.

Hetimet vijuan më pas me kontrollin e banesës së të arrestuarit, ku u gjet dhe u sekuestrua një jelek antiplumb.

Po ashtu, si prova materiale u sekuestruan arma e zjarrit me municion, motomjeti me të cilin lëvizte 49-vjeçari dhe telefoni i tij celular.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa vijojnë verifikimet për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal të të arrestuarit dhe destinacionin e armës së sekuestruar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme