Kredia për sektorin privat u rrit me 7.5% në tremujorin e parë 2021

Kredia për sektorin privat njohu një rritje mesatare vjetore prej 7.5% në tremujorin e parë 2021 bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, kjo rritje shfaqi një bazë të gjerë, e nxitur nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve. Në këtë kontekst, vlen të theksohet se rritja e kredive për qëllime investimi është një zhvillim inkurajues për rritjen ekonomike në të ardhmen.
Po ashtu, vëren BSH-ja, zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë, tregues ky i cili shënoi vlerën 52% ndaj totalit në muajin mars, jep sinjale pozitive në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare dhe të qëndrueshmërisë financiare.
“Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim. Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”- citon njoftimi i BSH-së.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




