Rindërtimi, shtylla kryesore e rimëkëmbjes ekonomike, BB: Shqipëria i tejkaloi parashikimet e rritjes të bëra në vjeshtë 2020

Ekonomi | 6 vite më parë
 

Banka Botërore publikoi sot raportin e ri mbi ekonominë rajonale ku thekon se “Shqipëria i tejkaloi parashikimet e rritjes të bëra në vjeshtë 2020”.

BB, vlerëson se masat e marra dhe rifillimi i rindërtimeve pas tërmetit, kontribuan në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.

“Shqipëria i tejkaloi parashikimet e rritjes të bëra në Vjeshtë 2020, pjesërisht falë masave të marra dhe rifillimit të rindërtimeve pas tërmetit. Megjithatë, pandemia COVID-19 pati ndikime serioze në ekonomi: ndalimi i udhëtimeve goditi sektorin e turizmit dhe borxhi publik u rrit”, bën të ditur raporti.

Sipas BB, “Shqipëria u godit rëndë, fillimisht nga tërmeti i Nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia COVID-19. Me tkurrjen e shpejtë të turizmit dhe shërbimeve, PBB-ja u zvogëlua me rreth 3.3 për qind. Rindërtimi dhe stimujt e lidhur me COVID-19 ndikuan në zbutjen e tronditjeve”.

“Rindërtimi pritet të jetë shtylla kryesore e rimëkëmbjes ekonomike në vitin 2021, duke u ndihmuar nga një rritje e lehtë e kërkesës private për shkak të kufizimeve të vazhdueshme në udhëtim”, thekson raporti i BB.

BB vëren se pavarësisht problemeve strukturore, treguesit e tregut të punës u korrigjuan relativisht shpejt me rihapjen e ekonomisë pas mbylljes fillestare.

Gjithashtu, kursi i këmbimit vijon të jetë fleksibël, gjë e cila i jep mundësi Shqipërisë të asimilojë goditjet e jashtme.

“Me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të rriten në 27.6 për qind të PBB-së gjatë periudhës 2021-2022”, vlerëson raporti i BB-së.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme