Rriten ndjeshëm eksportet drejt Greqisë, kryesojnë mineralet dhe tekstilet

Ekonomi | 6 vite më parë

Eksportet drejt Greqisë kanë njohur rritje të ndjeshme gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, shkruan ATSH.

Sipas raportit të tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave eksportet arritën në mbi 4.5 miliardë lekë nga rreth 3 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlerën më të lartë të eksporteve e shënuan grupet “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, ndjekur nga grupi “tekstile dhe këpucë”. Sipas të dhënave eksportet e këtyre grupeve arritën respektivisht 1.3 miliardë lekë dhe 1.2 miliardë lekë.

Importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë periudhës janar-mars arritën në rreth 13.2 miliardë lekë, kur një vit më parë (2020) u importuan 12.5 miliardë lekë.

Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “ushqim, pije dhe duhan” në vlerën 3.6 miliardë lekë i ndjekur nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale” në vlerën 2.5 miliardë lekë dhe “minerale,lëndë djegëse, energji elektrike” në vlerën 2.3 miliardë lekë.

Referuar të dhënave, shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë 3-mujorit zunë 7.4% të totalit të gjithë tregtisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme