Tepricat e energjisë, ERE le në fuqi kontratën e vjetër mes KESH-it dhe OSHEE

Teprica e energjisë që shkojnë për mbulimin e humbjeve që blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) tek Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do të vazhdojnë të funksionojnë sipas kontratës së vjetër.
Bëhet fjalë për një vendim të vitit 2019 që rregullon mënyrën sesi trajtohen këto teprica i miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Ky i fundit në një vendim të ditëve të para të janarit ka vendosur të lërë në fuqi të njëjtin vendim dhe të njëjtën kontratë mes palëve ku saktësohen afatet e faturimit, detyrimet dhe të drejtat e palëve duke qenë se nuk ka pasur asnjë negociatë për ndryshim të saj ashtu sikurse ndodhi përgjatë gjithë vitit 2020.
KESH i shet OSHEE-së me çmim të rregulluar atë sasi energjie që kësaj të fundit i duhet për të plotësuar pjesën që lidhet me shërbimin universal. Kjo do të thotë që parimisht, gjeneruesi publik duhet që në rast prodhimi maksimal të kalojë pranë OSHEE sasinë e energjisë që kësaj të fundit i duhet për të furnizuar konsumatorët familjarë dhe këtë sasi ajo e blen me çmimin e miratuar nga ERE prej 1.45 lekësh. Ndërkohë që nëse prodhohet më shumë sesa kjo sasi, që konsiderohen si teprica, kompanitë mund t’i negociojnë sipas kontratës së re të miratuar në ERE.
Në vendimin e tij Enti argumenton se mes palëve nuk ka pasur negociata për të ndryshuar marrëdhënien e tyre lidhur me tepricat.
“KESH sh.a dhe OSSH sh.a nuk kanë negociuar dhe dakordësuar ende një Draft-Kontratë të re për shit-blerjen e sasisë së tepërt të energjisë elektrike, që rezulton pas përmbushjes së kërkesës së klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal me qëllim mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për vitin 2021, e cila do të duhet të miratohet nga ERE. Në të njëjtën kohë nuk rezulton të jenë konstatuar kontestime nga palët në lidhje me zbatimin e Kontratës ndërmjet “KESH” sh.a dhe “OSSH” sh.a, për shit-blerjen e sasisë së përfitojnë nga shërbimi universal me qëllim mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes” thuhet në vendim.
Kjo kontratë sipas Entit do të jetë në fuqi deri në paraqitjen e një kërkese nga palët e përfshira në të për të bërë ndryshime apo një kontratë të re. Aktualisht edhe vetë OSHEE nga ana e saj njoftoi se do të zhvillojë ankande për të shitur tepricat. Një nga tre kompanitë nën të Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) kërkoi pak ditë më parë nga operatorët e interesuar për këtë procedurë që të regjistrohen dhe të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm. FTL do të shesë tepricat e energjisë që sigurohen nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë të gjithë ato hidrocentrale me kapacitet të instaluar deri në 15MW.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




