Hapet zyrtarisht gara për tunelin e Llogarasë, fondi limit 155 milionë euro

Ekonomi | 6 vite më parë

Procedura që ka për objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë)” u çel me një fond limit prej 19.1 miliardë lekësh apo rreth 155 milionë euro. Kompanive të interesuara u është lënë afat deri në datën 12shkurt 2021 që të dorëzojnë kërkesat e tyre për pjesëmarrje. Në dokumente është specifikuar se operatori që do të rezultojë fitues në fund të garës do të ketë në dispozicion 37 muaj pra më shumë se tre vjet për të bërë zbatimin e kontratës ndërsa burimi i financimit do të jetë buxheti i shtetit.

Tuneli do të ndjekë projektin që u shpall fitues vetëm pak kohë më parë në një tjetër garë të hapur nga qeveria. Fitues rezultoi bashkimi i operatorëve ekonomikë iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh, kompani inxhinierike e regjistruar në Austri, ELEA iC d.o.o dhe IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring – kompani inxhinierike regjistruar në Slloveni, dhe SEED Consulting sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vlerësuar këtë bashkim operatorësh për zgjidhjen më të mirë teknike, kapacitetet dhe kualifikimet e stafit teknik të duhura për të realizuar projektin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Tuneli i Llogarasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta.

Tuneli është vazhdim i kontratës “Dhënia me konçesion /PPP ‘Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Segmentit Rrugor Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’ fituar nga kompania Gjikuria.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme