Denaj takon ambasadoren e re franceze/ Shqipëria paraqet një mundësi shumë të mirë për kompanitë franceze

Pavarësisht situatës së pandemisë, Shqipëria paraqet një mundësi shumë të mirë për kompanitë franceze për ri-investim në një treg më të afërt, veçanërisht për industrinë e prodhimit.
Kjo u theksua në takimin e zhvilluar gjatë ditës së sotme të ministres së Financave dhe Ekonomisë, Aniloa Denaj me ambasadoren e re të Francës në vendin tonë, Elisabeth Barsacq.
Ministrja Denaj bëri të ditur se gjatë takimit me ambasadore franceze u diskutua mbi mbarëvajtjen pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, ekonomike.
“Së bashku, po bëjmë realitet disa nisma, në mbështetje të grave në shoqëri, sipërmarrje dhe sektorët prioritarë. Pavarësisht situatës së pandemisë, Shqipëria paraqet një mundësi shumë të mirë për kompanitë franceze për ri-investim në një treg më të afërt, veçanërisht për industrinë e prodhimit”, tha Denaj.
Shqipëria dhe Franca mbeten partnerë modestë tregtar. Për vitin 2019 volumi tregtar i shkëmbimeve me Francën ka qenë 142 milionë euro, nga të cilat importi 105,5 milionë euro dhe eksporti 36.5 milionë euro. Sa i takon investimeve të huaja direkte në Shqipëri (2014-2019), Franca renditet si investitori i 5-të më i rëndësishëm me 281 milionë euro, ndërsa sa i takon stokut të investimeve renditet e 8-ta me 1,033 milionë euro.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar (QKB janar 2020) janë 126 biznese franceze që operojnë kryesisht në Tiranë, në fushën e tregtisë me shumicë dhe me pakicë; në fushën e informacionit dhe komunikacionit; akomodimit dhe shërbimit ushqimor; ndërtimit, aktivitete profesionale e shkencore, etj.
Së fundmi në tregun shqiptar ka hyrë edhe kompania franceze Voltalia e cila do të kryejë një investim prej 100 milionë eurosh për ndërtimin e jë parku fotovoltaik në Karavasta./ATSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




