Nga 1 janari 2021 nisin faturat elektronike, por çfarë do ndodh me kasat fiskale?

Ekonomi | 6 vite më parë

Pas shtyrjes së procesit si pasojë e pandemisë COVID-19, viti i ardhshëm mund të konsiderohet si një etapë e re për sipërmarrjen në vend. Duke filluar nga janari 2021, do të fillojë implementimin procesi i fiskalizimit. Nga ky muaj do të nisin edhe transaksionet e para pa para në dorë mes biznesit dhe shtetit.

Tashmë bizneset do të blejnë aplikacionin softwer-ik, nëpërmjet të cilit do të lëshojnë fatura elektronike. Për çdo shitje blerje dhe biznes- shtet, nga 1 janari do të bëhet me faturë elektronike. Deri tani, sipas informacioneve nga tatimet, janë 10 kompani që janë licencuar për të mirëmbajtur dhe tregtuar aplikacionet që do të përdoren për faturat elektronike.

Nga janari të gjitha bizneset do të duhet që në pajisjet e tyre kompjuterike, telefon apo tablet të instalojnë aplikacionin e blerë, dhe për çdo shitje do të plotësojnë faturën në sistem e cila i dërgohet automatikisht administratës tatimore si edhe printohet për klientin.

Ky sistem i ri i njohur si Fiskalizimi do të bëjë të mundur monitorimin në kohë reale të transaksioneve të biznesit, në mënyrë që të shmangen abuzimet, të ulet informaliteti, të rriten të ardhurat nga TVSH-ja si dhe të reduktohet përdorimi i cash-it në ekonomi. Më pas në 1 korrik do të fillojë lëshimi i faturave elektronike për transaksionet biznes-biznes dhe në 1 shtator 2021 fiskalizohet i gjithë sistemi.

Çfarë do ndodh me kasat fiskale?

Kasat fiskale nuk do të dalin nga tregu, pasi do të përdoret një server i mesëm, që do të bëjë të mundur lidhjen e kasës aktuale me pajisjen e fiskalizimit. Biznesi në vend, përveç kapërcimit të dëmit financiar që po i shkaktohet nga pandemia e COVID-19, duhet të përballen edhe me kostot e reja të një sistemi të ri.  Çdo biznes nga 1 janari 2021 duhet të ketë një pajisje elektronike, të ketë lidhjen me internetin, të blej aplikacioni çmimi i të cilit ndryshon nga kompania në kompani, do të paguaj 4 mijë lekë në vit për vulën, si dhe do të paguaj për mirëmbajtjen.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme