Termeti dhe covid-19, FMN-ja vlerëson masat e qeverisë

Ekonomi | 6 vite më parë

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar zhvilloi një vizitë virtuale më 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit. “Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë. Falë menaxhimit të përshtatshëm të politikave dhe kushteve financiare lehtësuese në botë, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i Shqipërisë është ruajtur”-thotë FMN në deklaratën për vendin tonë. Qeveria Shqiptare do të vijojë me një politikë buxhetore që ruan një nivel mesatar të investimeve publike në 4.5 përqind të PBB në vitet 2021-2023 duke stimuluar formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, thelbësore për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

“Autoritetet duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat tatimore nëpërmjet ngritjes së një sistemi më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent tatimor i cili nxit rritjen ekonomike. Sa i përket sektorit bankar, FMN sqaron se, ka vijuar të jetë deri tani i qëndrueshëm dhe likuid. “Në veçanti, niveli relativisht i lartë i kredive me probleme ka mundësi të rritet për shkak të ndikimit që ka pandemia tek huamarrësit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi pozitivisht angazhimin dhe përpjekjet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, si dhe njëkohësisht vuri theksin për zgjidhjen me instrumenta të përhershëm të kësaj çështjeje. Qeveria Shqiptare në vitin 2019 ka rimbursuar 23.5 miliard lekë TVSH dhe ka arritur një stok 0 për kërksat FIFO në fund të vitit. Përgjatë vitit 2020 janë dhënë gjithashtu 10,1 Miliardë lekë për rimbursimin e TVSH-së, pavarësisht situatës së pandemisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ritheksoi se prioriteti kryesor i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në afatin e mesëm e në vijim mbetet rikthimi qartësisht drejt konsolidimit fiskal,uljes së borxhit publik dhe minimizimit dhe mbajtjes gjithnjë nën mbikqyrje të fortë të risqeve fiskale.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme