“Kulla Veneciane” në Durrës, tërheqja e turistëve përmes interpretimit digjital të historisë

Kulturë | 3 vite më parë

Kulla Veneciane është kthyer prej disa muajsh në një qendër mjaft tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj. E pozicionuar në qendrën historike të Durrësit, ajo është një pikë referimi për vizitorët që dëshirojnë të njihen me historinë e lashtë të qytetit. Përmes realitetit virtual, po u vihen në dispozicion vizitorëve, video të ndryshme me të cilat ata shikojnë amfiteatrin, forumin rrethor dhe monumente të tjera.

“Në Kullën Veneciane të qytetit të Durrësit vizitorët përveçse marrin informacion për historikun e qytetit të Durrësit kanë mundësinë që të përjetojnë një eksperiencë ndryshe. Në Kullën Veneciane nëpërmjet projeksionit në kupolë shijojnë më shumë historikun e qytetit, më pas kanë akses të shikojnë nëpërmjet syzeve VR amfiteatrin e qytetit, forumin dhe një pikturë mesjetare, më pas nëpërmjet tabletit marrin më shumë informacion i cili është në 5 gjuhë të huaja”, tha Ina Ajazi, specialiste e Qendrës Muzeore Durrës.

Më së shumti vizitorët e huaj e kanë pëlqyer shumë këtë risi në kullën Veneciane, e cila është kthyer në një qendër të interpretimit digjital të historisë.  Kulla Veneciane është pjesë e kalasë së Durrësit dhe në mesjetë ajo konsiderohej si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut. Ajo iu nënshtrua restaurimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Gazetar: M. Mirashi

/RTSH/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme