Melodia që “buron” nga malet e Veriut

Ai qëndron diku në një kënd të rrugës dhe krijon melodinë e tij. E quajnë Myrto dhe vjen nga fshati Bruçaj i Shkodrës. Çobani 85-vjeçar sfidon thuajse çdo ditë temperaturat e larta të qytetit me instrumentin e lashtë baritor të fyellit, të cilin e ka punuar vetë dhe e ka shoqëruar prej një jete të tërë.
“E kam mësuar qysh 10 vjeç, me fyellxhinj, me njerëz që kanë ditur me i rënë fyellit. Atëherë e kam marrë vetë me iniciativën time, me forcën time,” thotë Myrto Mani.
“E pëlqejnë, e pëlqejnë se është muzika malore, që i tërheq maleve, me berr, me dhi, me bagëti.“
Myrtoja përgjigjet i prerë dhe i vendosur kur e pyet nëse e bën këtë për ngrohtësinë e shpirtit apo edhe si mënyrë për të nxjerrë bukën e gojës.
“Jo, jo, vetëm për kënaqësinë time, për hatrin tim, për dëfrimin tim, por kujt nuk i lyp asgjë,” shton 85-vjeçari.
Dëshira e tij është që melodia e alpeve të mos ndalet asnjëherë dhe t’u trashëgohet brezave që do të pasojnë.
Gazetar: Marjo Gjini
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




