Muzikali “Mamma mia”, për herë të parë në Tiranë

Muzikali “Mamma Mia”, komedia muzikore e cila është bazuar në këngët më të njohura të grupit muzikor ABBA, me të cilat janë apasionuar breza të shumtë ndër vite, do të vijë për herë të parë në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës.
Kjo shfaqje artistike vjen me libret të përshtatur në shqip dhe me këngët origjinale në anglisht.
“Mamma Mia”, nis me historinë e Sofisë, e cila ka ftuar në martesën e saj me Skain, tre baballarët e saj të mundshëm.
Ajo kupton nga ditari i nënës së saj Donës, se mund të jetë fryt i dashurisë së tre historive romantike, të përjetuara përgjatë një muaji, 21 vite më parë.
Dilema që ngre fabula është se cili nga tre dashuritë e rinisë së Donës është babai i Sofisë? Sam, Heri apo Bill?
Kasta e aktorëve përbëhet nga emra të njohur të sferës së artit, si Elia Zaharia, Amos Zaharia, Gerta Mahmutaj, Donald Shehu, Ina Morinaj, Rea Nuhu, Endri Kaçaçi, Igli Zarka etj.
Duke qenë se kjo shfaqje artistike ndërtohet mbi 3 disiplina të artit, kërcimin, këndimin dhe aktrimin, artistët shprehen se ka qenë një punë sfiduese.
Komedia muzikore “Mamma Mia”, e cila realizohet me regji të Altin Bashës dhe skenografi të Iliriana Bashës, do të vihet në skenë për dy netë
radhazi, më 25 dhe 26 korrik, në orën 21:00.
Gazetare Ornela Ceka
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




