Pas 10 vitesh mungesë, Malda Susuri rikthehet me “Ndryshe”: Thirrje për të mos bullizuar! Më kanë penguar paragjykimet

Pas dhjetë vjetësh mungesë, Malda Susuri rikthehet në muzikë me këngën e re “Ndryshe”. Për këtë projekt muzikor, këngëtarja nga Kosova ka bashkëpunuar me kompozitorin Armend Rexhepagiqi.
Për arsyet e mungesës kaq të gjatë, Susuri në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu shprehet se nuk e ka gjetur veten në tregun muzikor shqiptar. “Unë dhe disa artistë që bëjmë këtë lloj muzike nuk e kemi ndjerë të jemi pjesë e tregut pasi ai mori një kahje shumë ndryshe nga ajo që ne krijonim. Mora një vendin që të bëj një pauzë. Me kalimin e kohës kuptova që çfarëdo t’i servirësh publikut, ti e edukon atë. Është njëjtë si nënat që na gatuajnë diçka nga fillimi dhe ne mësohemi të ushqehemi me ato gatime. Kështu ndodh edhe në art, publiku pranon atë çfarë i ofron dhe e edukon me atë muzikë.”
Susuri tregon se kënga “Ndryshe” kremton karakteristikat që na dallojnë nga njëri-tjetri dhe që na bëjnë shumë të veçantë. “Gjithmonë më kanë penguar paragjykimet dhe ata që nuk i pranojnë njerëzit ashtu siç janë. Përmes këtij projekti jam munduar të apeloj: ‘Ju lutem, mos bullizoni dhe mos u mundoni të ndryshoni të tjerët.’ Dhe t’u tregoj personave të veçantë që të jesh ndryshe është shumë bukur. Pranojini njerëzit ashtu siç janë.”

Kjo këngë është një dedikim i këngëtares për prindërit. “Ia kam dedikuar prindërve të mi. Ata më kanë ofruar dashuri pa kushte. U bëj thirrje prindërve të tjerë që të mos i paragjykojnë fëmijët e tyre. T’i lënë të lirë në gjithçka ata vendosin të bëjnë në jetë sepse është jeta e tyre. Lërini të jetojnë jetën. Unë e kam pasur lirinë e plotë nga prindërit e mi dhe për këtë arsye e di se çfarë do të thotë.”
E pyetur nëse është paragjykuar ndonjëherë, Susuri thotë se këtë gjë e ka ndjerë në muzikën që ka bërë dhe për stilin e veshjes. “Gjithmonë janë munduar të më etiketojnë. E mira ka qenë se unë kam pasur përkrahjen e prindërve dhe kam qenë me shumë karakter. Nuk i kam dëgjuar këto fjalë.”

Këngëtarja ndalet edhe në një moment të vështirë të jetës së saj, siç ishte përballja me ankthin. “Kam pasur fatin që e kam kaluar shumë shpejt. Ka zgjatur pak periudha sa e kam kuptuar që është ankth. Në momentin që e kam kuptuar, nisa të lexoj, të kujdesem për veten më shumë, largova disa gjëra toksike përreth. Shkoi gjithçka në rregull dhe tani jam shumë mirë.”
Malda Susuri ka një mollë tatuazh në kyçin e dorës. Po kështu, ky element është i pranishëm edhe në videoklipin e këngës së re. Ajo tregon se si molla u shndërrua në një simbol për të. “Kam qenë duke punuar në Koha Televizion në Kosovë. Një mysafir solli mollë. Ne e morëm një mollë në dorë për të dalë në fotografi. Kur fotografia ku ndodhej i gjithë stafi u publikua, drejtoresha mori vendimin për të më larguar nga puna që kam ngrënë mollë në punë. Tre javë kam ngelur pa punë.”

Susuri shprehet se molla i ka çelur sytë. “Kur mora mollën në dorë pas largimit nga puna kam thënë pse njerëzve, kur u ndodh një gjë e keqe, dëshpërohen. Kjo mollë ka për të qenë gjithçka për të më rikthyer.”
Dhe kështu ndodhi. “Ndërrova temën e masterit dhe e bëra ‘fenomenologjia e mollës’. Bëra dhe ekspozitën “Molla” ku përmes saj kam mbrojtur të drejtat e grave dhe kam apeluar kundër seksualizimit dhe objektifikimit të grave. Kam dashur të thyej ato mendime që një grua me një mollë mashtron ose mendon të të bëjë keq, siç jemi mësuar prej besimeve fetare. Ndërsa kur e krahason me një burrë, te Neëton-i ose në teknologjine e Apple-it gjithmonë shihet si dije.”
Por Malda nuk mban inat. “Në çdo projekt unë e ftoj ish-drejtoreshën time. Nuk ia kujtoj atë që ndodhi, por e di që sa herë më sheh, i sheh edhe mollët.”
Këngëtarja zbulon se shumë shpejt do të prezantohet edhe me një këngë të re, një këngë verore, një tjetër bashkëpunim me Armend Rexhepagiqin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




