Tradita folklorike shqiptare zbukuron Gjirokastrën

Në Kalanë e Gjirokastrës, e transformuar në një skenë madhështore, nën tingujt e këngëve, ritmit të valleve dhe bukurisë së veshjeve, ka nisur edicioni i 11-të i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.
Natën e parë e kanë hapur grupet e qarkut të Kukësit dhe Beratit si dhe Ansambli Shtetëror Shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
Këngët, instrumentet popullore, veshjet tradicionale, eleganca e valleve të bukura shqiptare, kanë bërë për vete publikun që u mbërthye me orë të tëra duke shpërthyer herë pas here me duartrokitje.
Moderatoret Vilma Masha dhe Eva Murati me veshjet e tyre të përzgjedhura me kujdes përcollën tradita të kostumografisë shqiptare.
Shumë emocione të bukura falën edhe mjeshtërit e polifonisë si Grupi i Qarkut të Kukësit të cilët erdhën në këtë festival me disa këngë të vjetra, por që këndohen për herë të parë në skenën e festivalit te shoqëruara me valle.
Artistët popullorë kanë përcjellë copëza të trashëgimisë kombëtare nën tingujt e instrumenteve si fyejt, lahuta, çiftelia si dhe valle qindra vjeçare të traditës. Festivali do të zgjasë tetë ditë dhe pritet të risjellë aspekte të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Festivali Folklorik i Gjirokastrës, do transmetohen çdo ditë në rrjetin e kanaleve të Radio Televizionit Shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




