Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur i letërsisë shqiptare Naum Prifti

Kulturë | 3 vite më parë

Është ndarë nga jeta në Nju Jork, aty ku jetonte prej afro 3 dekadash,  në moshën 91-vjecare, Naum Prifti, duke lënë pas rreth njëqind tituj në letërsi, si novelist, tregimtar, dramaturg, në letërsi për fëmijë apo si skenarist filmash, studiues, fabulist, përkthyes, eseist, qëmtues folklori, një nga figurat shumëdimensionale, që i rezistoi me dinjitet edhe viteve të diktaturës me një vepër që i ka qëndruar kohës, e pa përdhosur dhe e shëndetshme, në harmoni me veten dhe mendimet e tij”, siç do ta përshkruajë  prof. Jorgo Bulo.

Duke lënë pas dramat, “Mulliri i Kostë Bardhit” (1969), Plumbat e shkronjave” (1978), “Një verë e thatë”, komedia “Dasmë pa nuse” (1969), “Talent i rrallë” (1980) etj.

Skenarë të filmave si “Pylli i lirisë” bazuar mbi tregimin “Ndjekësi i kuajve”, “Tokë e përgjakur”, bazuar te tregimi “Litar i zjarrtë”, “Tre vetë kapërcejnë malin”, prodhim i Kosova film me regjisor Besim Sahatçiu (gjyshi i Rita Orës), “Era e ngrohtë e thellësive” (TV) 1981, “Kush vdes në këmbë” , “Fejesa e Blertës” etj.

Ka përkthyer nga Roald Dahl “Gjiganti i madh i mirë”, “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami”, Carli dhe fabrika e çokollatave. Nga frëngjishtja, “Princin e vogël” të Exuperisë e nga italishtja “Katër stinët” me përralla.

Nga pushimet nga puna për shkak të dy vëllezërve në Amerikë, riedukimi për shkak të dramës “Rrethimi i bardhë në komunizëm”, jeta e tij pas viteve ’90 do të vendosej në Amerikë. Romani i tij Grirja e shpirtit botuar nga Columbia University Press 2009 në SHBA u cilësua “një roman i fuqishëm historik që eksploron jetën nën regjimin ekstrem stalinist-maoist të Enver Hoxhës”.

Hulumtimet e tij të thella dhe subjektet që përshkruajnë realitetin e ashpër të përditshëm të diktaturës në Shqipëri, i kanë bërë atij krahasimin me veprat e Solzhenicinit, me standard letrar të moskonformizmit.

Naum Prifti ka mbajtur postin e sekretarit edhe për shoqërinë shqiptaro-amerikane, “Vatra” prej dy dekadash dhe nga Vatra dhe gazeta e saj Dielli ka marrë edhe ngushëllimet e para, duke cilësuar se kombi shqiptar humbi një emër të nderuar në fushën e letërsisë e gjuhësisë. Mediat humbën një penë të mprehtë, mërgata e Amerikës humbi një zë të fuqishëm që kontribuoi me dekada për komb e atdhe.

Gazetare Magdalena Alla

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme