“Notre Dame de Paris”, Riccardo Cocciante: ‘Dashuroni jetën, vdisni jo për vdekjen, për jetën’

Notre Dame-in e pavdekshëm të Viktor Hygoit të mishëruar në muzikën e Riccardo Cocciante-s, në libretin e Luc Plamondon, në regjinë e Gilles Maheu, Esmeraldën në interpretimin me tone plot dhimbje dhe romanticizëm të Elhaida Danit tonë, Quasimodon nga Angelo Del Vecchio, e ku koreografia e Martino Muller, balerinët, këngëtarët, dritat shkaktuan edhe në Tiranë suksesin që Notre Dame ka në botë si shfaqja më e shfaqur, mbi 5000 në gjithë botën, duke thyer rekord Guinness.
E ka parë si gjithë Europa dhe bota, falë impenjimit të kryeministrit Edi Rama dhe Elhaida Danit, Riccardo Cocciantes, por e panë edhe mbi 70 artistët e huaj në skenë, kryesisht francezë dhe italianë, se sa shumë Shqipëria e do Artin.
Se si teksa duke dëgjuar vargjet shpërthyese përpara Katedrales: Ne jemi të deportuar, të dënuar, të paligjshëm, pa atdhe, të pastrehë, klithmën se si ta bëjmë botën një vend pa mjerim e pa kufij, Shqipëria e ndjen si gjithë bota, e ndjen në lëkurën e saj vuajtjen racore, vuajtjen e emigrantit, të të përjashtuarit, të dënuarit e të vuajturit.
Siç u shpreh Cocciante në konferencën për shtyp: “Shqipëria e meriton Notre Dame. Ka vuajtur shumë në luftëra, diktaturë, e tashmë po hapet e ndoshta po nis të jetojë”.
“Amare la vita, morire per la vita…Të duash jetën, të vdesësh jo për vdekjen, por për jetën” iu drejtua Cocciante shqiptarëve në fund të shfaqjes përpara një publiku që i dha gjithë dashurinë e mundshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




