Ermonela Jaho master klas falas në TKOB, asnjë student as pedagog i Universitetit të Arteve nuk regjistrohet. Zhgënjimi i sopranos me famë botërore

Kulturë | 4 vite më parë

Ka ditë që në dyert e Teatrit Kombëtar të Operas është vënë një poster i madh që njofton master klas me vetë Sopranon e vitit 2023 nga Çmimi Ndërkombëtar i Muzikës Klasike, soprano që për fat e kemi tonën, e që nuk ka lënë teatër prestigjioz pa u ngjitur nëpër botë e pa korrur sukses.

Edhe pse master klasi ishte edhe falas me vetë të madhen Ermonela Jaho, nga data 14-18 prill, për të mësuar teknikat fizike e këndimit, teknika e interpretimit, përgatitja psikologjike e repertorit, e një roli etj., këtë fat e kanë përqafuar vetëm 8 këngëtarë të rinj, disa të TKOB dhe disa të ardhura enkas nga Italia, por kanë munguar studentët e arteve, profesorët e Universitetit Artistik, disa prej të cilëve edhe ish-pedagogët e Ermonelës.

Në datën 11 prill Ermonela pati një master klas të tillë në Shtëpinë e Operas në Londër, por sic thotë ajo aty salla ishte plot dhe ky ndryshim ka bërë të trazohet shpirti i saj.

“Unë kam ardhur këtu dhe nuk kam parë asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Do doja të shikoja ata pedagogë të mi, kolegët e mi të shkëmbenim këtë lloj eksperience. Ose të vijnë dhe të thonë që “këtë që ka bërë Ermonela, nuk duhet ta bëjmë sepse mëson edhe nga gabimi.

Një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh por më duket se është akoma edhe sot. Ne kurrë nuk e kemi pranuar njëri-tjetrin. Unë dhe ju flasim të njëjtën gjuhë. Pse ti ia dole, unë nuk ia dola? Nuk ka rëndësi, secili ka rrugëtimin e vet.

Studentët ndoshta mungojnë, se ndoshta nuk i lënë pedagogët. Duhet të jemi më të hapur. Unë vendos gurin tim. Më jep ti një gur tëndin. Gur-gur, të ndërtojmë diçka për këta talente, t’u japim shpresën sepse nuk kanë se përse largohen”, është shprehur sopranoja e njohur, me famë botërore Ermonela Jaho.  

 Sipas Ermonelës, studentët që prodhojnë shkollat tona janë të pakonkurrueshëm nëse nuk ballafaqohen me përvojën në botë.

“Është e trishtë kur dëgjon që kanë studiuar 10, 15 vjet dhe nuk janë të kokurrueshëm me botën. Këtë eksperiencë është detyrimi ynë që si artistë të rritur këtu të marrin eksperiencën jashtë dhe ta sjellin në vendin tonë”, ka theksuar Jaho.

Megjithatë, Ermonela Jaho e rikthyer në teatrin ku këndoi për herë të parë dhe e la në vitin 1993, është e vendosur që pa lënë pas edhe karrierën e saj nëpër botë, ashtu si mësonjësja e filmit Mësënjtorja të ndërtojë Akademinë Teatrale në TKOB  edhe me pak nxënëset e saj të para.

“Të bëhemi një pikë referimi edhe për Evropën. Dhe nuk e ekzagjeroj kur e them këtë. Teatrin nuk do të na e bëjnë të huajt. Teatrin nuk do ta bëjë askush tjetër. Vetëm ne do ta bëjmë”, ka përfunduar sopranoja Jaho.  

Dhe i është mirënjohëse Shqipërisë edhe për dhimbjen që ajo shkakton. Sepse kjo i jep forcë ndjenjave dhe interpretimit të saj, suksesit të saj.

Gazetare Magdalena Alla 

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme