Gjirokastër, Profesor Fatos Tarifa nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Eqrem Çabej”

Kulturë | 5 vite më parë

“Personalitet me ndihmesa origjinale ne fushën e sociologjisë  politike, të  historisë e të lëvizjeve progresive tëmendimit; erudit dhe qytetar i shenjuar, me ndikim të vlerësuar dukshëm në jetën e sotme të shoqërisë shqiptare; mbrojtës dhe përurues i denjë i vlerave të krijuara nga populli shqiptar në rrjedhë të kohërave, me kontribute akademike e të kërkimit shkencor të një rëndësie parësore në Universitetin “Eqrem Çabej të Gjirokastrës”, me këtë motivacion u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Gjirokastrës, profesor Fatos Tarifa.

“Emocionet e sotme, që shoqërojnë marrjen e këtij titulli honorifik, i tejkalojnë ato që kam ndier  kur kam marrë gradën “Doktor” sepse ky është një titull që ma jepni ju dhe që më nderon. Emocionet që provokon tek unë ky rast i gëzuar, solemn, janë edhe më të veçanta pasi ky nder më bëhet nga Universiteti i Gjirokastrës, që mban emrin e dijetarit të shquar Eqrem Çabej, për të cilin kam një dobësi të madhe.Emocionet shumfishohen kur këtë titull e marr në qytetin ku kam rrënjët, për të cilin kam mall dhe ushqej një dashuri të madhe.”- u shpreh ndër të tjera profesor Tarifa.

Pjesëmarrës në ceremoni, kolegë e bashkëpunëtorë ndër vite, vlerësuan figurën e Tarifës si një nga studiuesit shqiptarë më të shquar në fushën e shkencave shoqërore si dhe një ndër personalitetet më të njohur në jetën akademike të vendit dhe jashtë tij.

Sot  Fatos Tarifa mban pozicionin e Profesorit të Sociologjisë e të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës. Është autor i më shumë se 50 librave, prej të cilëve 12 janë botuar në anglisht jashtë vendit, kryesisht në SHBA dhe Holandë. Gjithashtu është autor i më shumë se 100 artikujve të botuar në revista akademike, shumica të botuar në revista perëndimore me factor impakti dhe të indeksuara. Profesor Tarifa ka një karrierë të gjatë akademike dhe në universitete të huaja, ku gjatë tre dekadave të fundit ka mbajtur leksione në mbi 40 të tillë. Profesor Tarifa ka kumtuar në më shumë se 40 kongrese dhe konferenca shkencore ndërkombëtare. Ai është një ndër anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe një ndër ish presidentët e saj. Gjithashtu ka drejtuar si kryeredaktor një numër revistash akademike në Shqipëri dhe SHBA.

Tarifa ka dhe një karrierë të suksesshme në fushën e diplomacisë. Në periudhën 1998- 2005 ai ka përfaqësuar Republikën e Shqipërisë si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i saj në MBretërinë e Hollandës dhe në SHBA, si dhe ka qënë ambassador jorezident i Shqipërisë në SHBM, në Republikën Domenikane dhe në Republikën e Panamasë.

Për të pranishmit sot profesor Tarifa mbajti edhe leksionin me temë “Dinamika e modernitetit pluralizues në shoqërinë e sotme globale”

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme