Begaj takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Gjermani

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj zhvilloi sot në Berlin një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Gjermani.  

Figura të suksesshme në fusha të ndryshme, sipërmarrës, mjekë, artistë, arsimtarë dhe aktivistë të organizatave të të rinjve, e njohën Kreun e Shtetit me përvojat e tyre të bashkëpunimit me komunitetin shqiptar dhe qytetarët gjermanë.

Presidenti Begaj, shprehu përgëzime për arritjet e gjithsecilit dhe vlerësoi arritjet e tyre personale, të cilat i quajti krenari kombëtare.

Gjithashtu Presidenti ftoi sipërmarrësit shqiptarë të ndihmojnë më shumë për kauzat ë shqiptarëve, në veçanti për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë, apo të diasporës së re siç konsiderohet tashmë komuniteti i të ikurve pas viteve’90 në shtetet evropiane.

Presidenti vlerësoi nismat e ndërmarra për hapjen e shkollave shqipe vullnetarizmin e mësuesve të gjuhës shqipe, dhe gjithashtu nxiti forcimin e këtij bashkëpunimi në mënyrë që brezat e ardhshëm krahas gjuhës gjermane dhe integrimit me kulturën vendase ku jetojnë, të mos harrojnë gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar.

Përsa i përket ndërveprimit mes të rinjve, Presidenti vlerësoi iniciativat e studentëve që shkollohen në Universitetet e Gjermanisë, ndërsa u shpreh se Shqipëria i mban gjithmonë dyert hapur për ata që duan të kthehen dhe të investojnë në vendlindje, dijet e marra në Perëndim.

Ky takim u koordinua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme