Socialistët festojnë 33 vjetorin e themelimit, Klosi: PS e përgatitur për të fituar shumë gara elektorale

Me 1 minutë heshtje në nderim të ish- kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, socialistët kanë përkujtuar sot 33 vjetorin e themelimit të partisë Socialiste.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin deputetë, ministra, figura të reja drejtuese, por edhe disa personalitete që përbëjnë dhe historinë e PS.
Në selinë e PS-së, ku tradicionalisht festohen përvjetorët e themelimit të partisë, ishte i pranishëm edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, në krah të së cilit u panë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ish-deputetja dhe ish-ministrja Arta Dade, Namik Dokle, Et’hem Ruka dhe mjaft të tjerë.

Rama e ka përmbledhur urimin e tij për këtë ngjarje vetëm me një frazë “Rroftë Partia Socialiste”. Ka qenë sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, ai i cili ka mbajtur fjalën e rastit duke nënvizuar se “PS është gati për të fituar edhe shumë gara elektorale”.
“PS ka dëshmuar vazhdimësi, siç është sot një bashkim i themeluesve, por e shumë të rinjve që i janë bashkuar ndër vite. Sot në këtë festë vijmë më të fortë se kurrë, me shumë arritje se ja kemi dalë të jemi pranë njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë. PS vjen e fortë, e përgatitur për të fituar shumë gara të ardhshme elektorale”, tha Klosi.
Ndërsa një prej figurave emblematike të PS, ish kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se ka mjaft arritje, ndër të cilat janë përfaqësimi i të rinjve nga PS.
“33-vjetor, 33% më e rritur se 3 vjet më pare, jo 33 vite më parë. Sa i përket strukturës moshore, ata që s’kishin lindur para 33-vjetëve sot janë pjesë ose në strukturat drejtuese të PS. Nëse para 33 vjetëve zonjat në PS numëroheshin me gishtat e një dore, sot 50% e strukturave drejtohen nga shoqet, 50% e këshilltarëve të PS janë zonja. Sot 50% e qeverisë janë zonja, mbi 30% e grupit parlamentar janë zonja. Këto janë arritje reale që nuk duhet të na bëjnë euforik” u shpreh Ruçi.







/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



