Trump premton fitore totale ndaj Iranit: Duhet të ishte bërë shumë kohë më parë

Amerikë | 12 minuta më parë

Gjatë një fjalimi të mbajtur në kuadër të Ditës së Veteranëve në Arlington të Virxhinias, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka arritur koha që SHBA-ja të sigurojë një fitore të plotë dhe vendimtare në konfliktin e saj kundër Iranit.

Trump u shpreh se ky hap është dashur të ndërmerrej prej kohësh, duke theksuar se Uashingtoni kërkon një rezultat absolut dhe jo të pjesshëm.

“Kjo duhet të ishte marrë në dorë një kohë të gjatë më parë. Ne duam të sigurohemi se do të kemi një fitore totale. Jo një fitore 93 për qind. Ajo do të jetë totale. Do t’ju duhen 25 vjet për të rindërtuar atë që kemi shkatërruar, dhe shpresojmë se nuk do të na duhet të shkatërrojmë më asgjë nga ai vend”, u shpreh Trump.

Presidenti Trump theksoi se Irani ka qenë në luftë kundër Shteteve të Bashkuara që prej vitit 1979, duke përmendur sfidat e kaluara gjeopolitike.

Sipas tij, dëmi i shkaktuar ndaj infrastrukturës iraniane është aq i madh sa do t’i duhen dekada për t’u rikuperuar.

Trump ka lënë të kuptohet se fushata po shkon drejt fundit të saj, duke kërkuar që përmbyllja të jetë përfundimtare dhe pa lënë hapësira për pasiguri të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme