33 vjet PS, Spiropali: Socialistët do të jenë flamuri më progresist politik i vendit

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali me rastin e 33-vjetorit të PS-së, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u shpreh se me garancinë e të djeshmes, me sprovën e të sotmes dhe me ëndrrën e projektuar drejt të ardhmes, PS do të vijojë të jetë flamuri më progresist politik i vendit, “do të jetë premtimi solemn për Shqipërinë që duhet, për Shqipërinë që duam”.
Ministrja Spiropali shkruan se 33 vjet janë pak në jetën e një kombi, por janë shumë për një jetë njerëzore.
“Ne po bëjmë sa mundemi për t’i trashëguar brezit të fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhme, Shqipërinë evropiane, Shqipërinë e fortë, të begatë dhe krenare për sot dhe kohët që do vijnë. Partia jonë është refleks i shoqërisë shqiptare, me të mirat dhe defektet e saj. Partia jonë nuk ka lindur dhe është rritur në qelqe, nuk është një ishull ku nuk të prek asnjë sëmundje, por një organizëm i gjallë i rrethuar me rreziqe, por me mekanizma auto-imune funksionalë që e mbrojnë nga infektimet, që reflekton nga gabimet, me aftësi të jashtëzakonshme vetëkorrektimi, që projekton sukses jo në emër të suksesit vetjak, por duke u përballur pa frikë dhe krenare me sfidat e përditshmërisë në dobi të krejt shoqërisë shqiptare”, nënvizoi Spiropali.
Sipas saj, mandati i PS për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, me mirëqeverisje, drejtësi, meritokraci dhe mundësi, lider në rajonin tonë dhe bashkimin e saj me familjen e madhe evropiane, do ta bëjë Shqipërinë më të fortë, më të sigurt, më të begatë, do ta bëjë atdheun shtëpinë e premtuar të të gjithë shqiptarëve.
“33 vjet janë të barabartë me jetën e një brezi njerëzor, por në moshën e PS-së ato janë harmonizimi i shpresave dhe realizimeve të disa brezave, të moshuarit, të shqiptarit të moshës së mesme, të rinjve dhe fëmijëve të Shqipërisë së nesërme, për ta bërë Shqipërinë tonë një yll më tepër në flamurin me yje të Evropës së Bashkuar”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



