Refuzohet interpelanca me Ramën, Vokshi: Ju tmerron emri i Berishës. Felaj: S’e lejon gjykata

Politikë | 2 vite më parë

Kuvendi rrëzoi të mërkurën me 69 vota kundër dhe 29 pro kërkesën e opozitës për interpelancë me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Kërkesa ishte bërë nga kryedemokrati Sali Berisha, emri i të cilit u bë sërish shkak për tensione në sallën e parlamentit.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, kujtoi deputetët demokratë për vendimin e gjykatës, që ia ndalon atij pjesëmarrjen në jetën parlamentare.

“Nuk ia ka dhënë gjykata të drejtën zotërisë në fjalë. Nuk vendos kuvendi dhe nuk vendosni as ju,” u përgjigj znj. Felaj.

Reagimi erdhi pasi deputetja e PD-së, Albana Vokshi, bëri thirrje që të merrej parasysh kërkesa e Berishës.

“Është e turpshme kjo. E ka kërkuar Sali Berisha dhe ju nuk i përmendni as emrin. Emri i Sali Berishës ju tmerron. Kush është ai vendim gjykate që ia ndalon të ushtrojë të drejtën e deputetit?” replikoi znj. Vokshi.

Sipas demokrates, interpelanca po u mohohet atyre “pasi qeveria është vënë në shërbim të familjes kryeministrore”.

“Nuk e pranoj thotë Nikolla, se kjo interpelancë cenon privatësinë e familjes kryeministrore. Por, a keni cenuar jetët e mijëra qytetarëve me lejet e ndërtimit të dhëna thjeshtrës së kryeministrit, që po mbyt qytetarët, po me tenderat e Beqajt dhe Frangut, a nuk po cenoni jetën e mijëra pacientëve? Ky parlament po kthehet në noter për të mbrojtur vjedhjen,” deklaroi znj. Vokshi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme