Shqipëria dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit, Rama: Mbështesim partnerët për de-përshkallëzim të situatës

Shqipëria mbështet partnerët për të de-pëshkallëzuar situatën mes Izraelit dhe Iranit, pas sulmit me mbi 300 dronë të këtij të fundit ndaj izraelitëve. Kjo ishte deklarata që kryeministri Edi Rama bëri gjatë dënimit të sulmit iranian ndaj Izraelit.
Rama shprehet se situata nuk duhet të de-përshkallëzojë në Lindjen e Mesme, ndërsa bën thirrje për armëpushim në Gaza dhe kthimin e stabilitetit në këtë rajon.
“Shqipëria dënon me forcë sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për destabilizimin e rajonit në mënyrë të pakthyeshme. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë drejt de-përshkallëzimit.
Shqipëria kërkon vetpërmbajtjen e palëve dhe thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të kthehen të sigurt në shtëpi.i”, shkruan Rama në platformën X.
Dënimi i sulmit të Iranit ndaj Izraelit u dënuar edhe nga Presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Begaj tha se çdo përshkallëzim i konfliktit do të ketë “efekte të pakthyeshme në sigurinë e Lindjes së Mesme”, ndërsa ministri Hasani shtoi se “ky sulm cenon sigurinë në rajon dhe shkakton paqëndrueshmëri në rajon”.
Më 13 prill Irani nisi sulmin ndaj Izraelit duke e sulmuar me më shumë se 300 dronë. Këto raketa u shkatërruan në masën 99 % nga sistemi mbrojtës i Izraelit në bashkëpunim me SHBA-në.
Forcat izraelite dhe aleate rrëzuan “shumicën dërrmuese” të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani.
Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq të ashpër prej dekadash, por ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i njërit në tokën e tjetrit. Ai vjen pas një sulmi në konsullatën e Iranit në Siri, më 1 prill, kur u vranë shtatë oficerë ushtarakë, përfshirë një komandant të lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



