Begaj në Malësinë e Madhe: Mbështesim projektet për promovimin e kulturës dhe natyrës

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj ndodhet në Malësinë e Madhe lidhur me 113-vjetorin e kryengritjes së kurorëzuar me ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Bratillë të Deçiçit. 

Në ditën e parë të kësaj vizite, Presidenti Begaj zhvilloi një bashkëbisedim me figura të spikatura të zonës: studiues, shkrimtarë, gazetarë, aktivistë e drejtues vendorë, me të cilët diskutoi për problematikat, sfidat dhe nismat e zhvillimit të Malësisë së Madhe.

Kreu i Shtetit vlerësoi shfrytëzimin e pasurive të jashtëzakonshme natyrore, për promovimin e turizmit dhe të vlerave historike e kulturore, si dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për adresimin e  shqetësimeve të ngritura në takim dhe realizimin e projekteve të Malësisë së Madhe:

“Pavarësisht se çfarë detyrash kemi pasur apo bëjmë, duhet secili nga ne të mendojë për vendin, për të ardhmen e fëmijëve tanë, të cilën duhet t’jua bëjmë më të mirë këtu ku është vendlindja e tyre. Dhe ku më mirë se këtu mund të shprehet kjo gjë, në vendin ku patriotizmi është i jashtëzakonshëm, atdhedashuria po ashtu, bujaria, mikpritja, muzika dhe lahuta, ku kemi liqenin, malin, lumin, kemi gjithçka që ju nevojitet njerëzve për të pasur mirëqenie dhe zhvillim.

Patjetër, është shumë e rëndësishme të evidentojmë vlerat historike e kulturore, të cilat na identifikojnë si komb. Ju identifikoheni me lahutën. Lahuta është jona. Është shumë e rëndësishme që ju ta zhvilloni bërjen e lahutës dhe ta trashëgoni atë të brezi i ri. Po kështu, e rëndësishme është edhe një vlerë tjetër e kësaj zone, xhubleta.  Me xhubletën kemi arritur të futemi në historinë botërore. Xhubleta dhe dijebërja janë shumë të rëndësishme për t’u mbrojtur e trashëguar, për ta bërë brezin e ri të mendojë se sa rëndësi kanë këto vlera”, tha Begaj.

Një tjetër çështje, ndaj së cilës Presidenti Begaj kushtoi rëndësi, ishte bashkëpunimi me Malin e Zi dhe faktorin shqiptar atje:

“Patjetër që ne duhet të zhvillojmë marrëdhëniet ndërkufitare. Komuniteti shqiptar atje është faktor i rëndësishëm në stabilitetin dhe shtet-formimin e Malit të Zi. Faktori shqiptar asnjëherë nuk e ndërron ëndrrën dhe aspiratën Euroatlantike”, tha ai.

Begaj vlerësoi edhe banorët e Malësisë së Madhe që janë kthyer nga emigracioni për investime në vendlindje.

“Malësia e Madhe nuk është imune ndaj gjerave që na rrethojnë. Patjetër që ka largim të rinisë dhe emigracion kudo: në Amerikë, Kanada, Angli, e në vende të tjera të BE-së. Ajo që është më e rëndësishme, evidentohet qartë se këta njerëz, pavarësisht se kanë ikur, nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre, kanë menduar të bëjnë investime në vendlindjen e tyre, të rikthehen, siç është rasti i futbollistit tonë të Kombëtares, djalë i kësaj treve, që na ka bërë të gjithëve krenarë”, tha Begaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme