Prishtinë, kryeparlamentari Konjufca priti në takim një delegacion parlamentar nga Shqipëria

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti të martën Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të drejtuar nga Flutura Açka.
Në takim kryetari Konjufca vlerësoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon.
Kryetari i Kuvendit shprehu interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht në rrafshin parlamentar.
Kryetari Konjufca theksoi nevojën e një dinamike të re të bashkëpunimit midis dy vendeve, përfshirë këtu sferën e arsimit, si njërën nga shtyllat kryesore të zhvillimit, për të rezultuar me arsim cilësor dhe konkurrues në tregun global.
Anëtarët e delegacionit parlamentar nga Shqipëria falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht shprehën interesimin e tyre për të rritur angazhimet në funksion të kooperimit sa më të madh ndërparlamentar midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Në takim u sugjeruan vizita më të shpeshta të ndërsjella të komisioneve parlamentare, për të kontribuuar sa më shumë si në përafrimin dhe avancimin e legjislacionit, ashtu edhe të këmbimit të përvojave parlamentare.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



