Basha: Anëtarësimi në NATO u bë falë SHBA-së. Disa të tjerë thonin “ç’na duhen këta shqiptarët?!”

Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar prapaskenat që anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, 15 vite para ku në atë kohë ai ishte ministër i Jashtëm. Basha tha se anëtarësimi në NATO ndodhi vetëm falë mbështetjes së SHBA dhe presidentit Bush, pasi shumë anëtarë të tjerë në atë kohë ishin kundër anëtarësimit ku shpesh nën zë thonin “ç’na duhen këta shqiptarët?!”.
Nga Tirana, ku po mbahet Kuvendi Zgjedhor i degës 1 në Tiranë, Basha tha se Ishte presidenti Bush i cili pyeste gjithnjë zyrtarët e NATO-s se “Çfarë bëhet me shqiptarët e mi?”.
Kjo, tha Basha, dhe shumë raste të tjera me SHBA, kanë vulosur miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve.
“A bëhej dot ky anëtarësim pa mbështetjen e SHBA? A ka shqiptarë që nuk e di se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ishte vullnet personal i presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush. Kush nuk e di ta mbajë vëth në vesh. Procesi kishte aleatët tanë, mbështetësit tanë, por kishte dhe kundërshtarët tanë. E them sot me përgjegjësi të plotë si ministër i jashtëm i Shqipërisë, negociata që mbeten jashtë sensacioneve mediatike. Po, po. Kundërshtarë që Shqipëria të mos anëtarësohej në NATO. Jo nuk është gati, nuk jeni gati, etj. Duhej vizioni strategjik dhe vendosmëria politike e SHBA, që Shqipëria të futej në NATO, sot e 15 vite më parë. Se ku do të ishim pa këtë vizion, se ku do të ishim pa mbështetjen e presidentit Bush, që dua në këtë ditë të veçantë ti shpreh mirënjohjen nga zemra në emër të gjithë demokratëve dhe gjithë shqiptarëve. Një Zot i madh e di. Kishte zëra në korridoret e Aleancës që thoshin: ç’na duhen këta shqiptarët?! Çdo të bëjmë me këta shqitarët?! Dhe nga ana tjetër kishe presidentin amerikan që porosiste përfaqësuesen në NATO dhe e pyeste vazhdimisht: Çfarë bëhet me shqiptarët e mi? Deri sa erdhi dita ku u vulos anëtarësimi i Shqipërisë në aleancën më të fortë të planetit që njeh njerëzimi, aleancën më të fortë politike, ushtarake, por edhe aleancën më të fortë të vlerave”, tha Basha.
Kryedemokrati shtoi gjithashtu se Forcat e Armatosura Shqiptare janë lënë pas dore dhe se detyrimet ushtarake që janë ndaj Aleancës nuk po përmbushen nga Shqipëria.
“Kemi detyrime politike ndaj Aleancës, dhe dihet detyrimi numër 1 i Aleancës është që një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve. Ne kemi detyrime ushtarake që ka vite që nuk i përmbushim. Gjendja e forcave tona të armatosura është ku thërret qameti. Në vend që të ishin zgjuar nga kambanat e alarmit që bien në Europë, por edhe këtu në shtëpinë tonë, në Kosovë, në Banjskë, si rezultat i një serbie putiniste, revizioniste, agresive, vazhdojnë e abuzojnë ato pak fonde që u japin forcave të armatosura. Ky është një turp më vete“, tha Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




