PD pyet Kuvendin për mandatin e Xhaçkës, udhëtimet jashtë të Ramës që nga 2013

Partia Demokratike i ka kërkuar parlamentit të vërë në dispozicion listën e plotë të udhëtimeve të kryera jashtë shtetit nga kryeministri Edi Rama, duke ngritur dyshimin se mund të jetë abuzuar me fondet publike.
Kërkesa iu paraqit Sekretarisë së kuvendit nga deputeti Gazment Bardhi. Demokratët kërkojnë që në dokumentacioni të mbulojë gjithë periudhën e Ramës si kryetar qeverie, duke nisur nga shtatori i vitit 2013.
“Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 8 të Ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit” i ndryshuar, kërkoj të na vini në dispozicion një informacion të plotë dhe të detajuar, për sa më poshtë:
1. Listën e plotë të udhëtimeve jashtë vendit të kryeministrit Edi Rama nga data 15 shtator 2013 deri në datën 1 mars 2024;
2. Koston për secilin prej këtyre udhëtimeve dhe koston totale të udhëtimeve për periudhën e sipërcituar;
3. Kopje të Marrëveshjes së nënshkruar me shoqërinë “Air Albania” sh.p.k. listën e plotë të udhëtimeve të kryera në kuadër të kësaj marrëveshjeje dhe kostot e tyre.
Ju lutem, që informacioni të jetë i ndarë sipas muajve dhe viteve dhe për secilin udhëtim të detajohet destinacioni, arsyeja e udhëtimit, linja ajrore, kompania që ka ofruar shërbimin dhe kostoja e këtij shërbimi,” thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së.
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat gjithashtu i është drejtuar Kuvendit të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhacka, i cili sipas Bardhit nuk zbatohet prej me shume se 1 viti.
Sipas Bardhit pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit nga hetimet e nisura prej SPAK, se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit.
Z. Bardhi thekson se çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës dhe pengimit të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetutes, institucion i dalë pas Reformës në Drejtësi.
Kete shkrese z. Bardhi ia ka derguar edhe trupit diplomatik të akreditur në Tiranë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



