Basha: Rama, Berisha e Meta, aleancë të re kundër SPAK-ut dhe Reformës Zgjedhore

Politikë | 3 vite më parë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e opozitës Sali Berisha dhe Ilir Meta se po bashkëpunojnë për të bërë pazar në kurriz të shqiptarëve.

Basha tha se tashmë kjo aleancë e re është e fokusuar jo vetëm në realizmin e një reformë zgjedhore sipas interesave të tyre dhe jo shqiptarëve, por edhe për të sulmuar SPAK.

Përmes një mesazhi në platformën X, Basha tha se politikanët e vjetër betejën e kanë me shqiptarët dhe se nuk do mund t’i shpejtojnë dot drejtësisë sado që të vijojnë “arratisjen e tyre në male”.

“Politikanët e vjetër të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar nuk e kanë thjesht betejën me Partinë Demokratike, por, mbi të gjitha, ata e kanë me popullin shqiptar. Jo vetëm që janë në pazar me njëri-tjetrit, por dihet se kur mblidhen bashkë Rama, Berisha dhe Meta diçka po luajnë në kurriz të shqiptarëve. Këtë radhë janë bërë bashkë në një aleancë të re kundër SPAK-ut dhe kundër Reformës Zgjedhore, sepse vetëm kështu mund të vijojnë me pazaret e vjetra të bëra në kohë të reja. Personalisht nuk impresionohem nga deklaratat e atyre që kanë marrë malet për t’iu fshehur drejtësisë, por një gjë është e sigurt: nuk u ka mbaruar vetëm koha, por edhe rruga. Dhe kur të mbaron rruga, nuk ka mal që të bën derman”, shkruan Basha.

Këto akuza Basha i ka bërë edhe më herët kur PS dhe Rithemelimi arritën një marrëveshje për normalizimin e  seancave parlamentare, duke e konsideruar pazar për Reformën Zgjedhore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme