Arrestimi i Jorgo Goros, Dule: E orkestruar nga Rama, të bëhet transparencë për çështjen e pronave në Himarë

Politikë | 3 vite më parë

Arrestimi i kryetarit në detyrë të Himarës Jorgo Goro, për kryetarin e PBDNJ Vangjel Dule është një veprim i dirigjuar nga kryeministri Edi Rama.

Duke e cilësuar arrestimin e Goros si një lëvizje politike të orkestruar nga Rama, Dule tha se kreu i qeverisë kërkon të ngre një “teatër hijesh” në Himarë.

Nga Korça, Dule bëri thirrje që të bëhet një transparencë në lidhje me çështjen e pronave dhe kryesisht me ata që kanë përfituar nga ligji i investimeve strategjike në Himarë. Dule shtoi se në Shqipëri duhet të respektohet ligji dhe se Fredi Beleri të lejohet të betohet si kryetar i Bashkisë Himarë.

“Janë lëvizjet e kryeministrit Rama, lëvizje të cilat nuk mund të sugjestionojnë askënd sepse të gjithë janë të vetëdijshëm që janë lëvizje marionetash në skenën e teatrit të hijeve që përpiqet të ngrejë Edi Rama në Himarë. Thelbi i çështjes është një dhe i vetëm në Republikën e Shqipërisë do respektohet kushtetuta, ligji, konventat evropiane në të cilat vendi është palë a do bëhen pjesë e respektimit të përditshëm të të drejtave të qytetarëve të këtij vendi? Është një njollë e pashlyeshme për rendin, shtetin e së drejtës, atë shtet që mund të pretendojmë se kemi dhe për demokracinë, mbajtja e zotit Beleri prej 11 muajsh i paraburgosur pa asnjë fakt, argument dhe provë. Për rrjedhojë çështja është shumë e thjeshtë duhet që sa më parë Beleri të kryeje betimin sepse nuk ka asnjë pengesë ligjore për një zhvillim të tillë, të marrë përsipër detyrën dhe në të njëjtën kohë Himara ka nevojë për një transparencë të gjithanshme në ligje me çështjen e pronave dhe kryesisht me ata që kanë përfituar nga ligji i investimeve strategjike”, tha Dule.

I pyetur se po përgatitet Vangjel Tavo nga Kryeministri si kryetar bashkie në Himarë, Dule thotë se këto lëvizje janë të paraprira nga vet Rama dhe se planet e tij janë të njohura.

“Të gjitha lëvizjet janë të orkestruara nga dirigjenti i vetëm në Himarë Edi Rama. Sigurisht që ka shumë viktima në radhët e PS të qeverisë, por edhe të pushtetit vendor të cilët janë zgjedhur me PS që verbërisht zbatojnë urdhrat e Ramës dhe janë ata që mbajnë barrën e përgjegjësisë ligjore sepse ne kemi një kryeministër që është tërësisht i papërgjegjshëm. Nuk mund të qetësohet askush pa i shkuar të drejtës deri në fund.  Është tërësisht në drejtimin e gabuar Rama nëse mendon se mund të krijojë iluzione dhe të fshihet pas gishtit të tij në lidhje me përgjegjësitë që janë tërësisht mbi të në lidhje me çështjet e pronave në zonët e bregut të Jonit”, tha Dule.

Këto deklarata kryetari i PBDNJ i ka dhënë nga Korça në aktivitetet e zhvilluara në nder të festës kombëtare greke.

SPAK arrestoi kryetarin në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goron si dhe 4 shtetasve të tjerë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Jorgo Goro akuzohet për kryerjen e veprës penale  “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, vepër kjo e kryer 2 herë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme