Dosja “Partizani”, Argita Malltezi: Shteti mori 800 mijë USD. Gjokutaj: Vendimi ndaj Berishës e Malltezit, antikushtetues

Politikë | 3 vite më parë

Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, ka deklaruar se shtetit shqiptar nuk ka pësuar asnjë dëm nga privatizimi i klubit “Partizani”, por përkundrazi ka arritur të marrë 800 mijë dollarë.

Malltezi u shpreh se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë nën masë sigurie pa prova në një çështje që, sipas saj, nisi nga diskutimi politik.

Në fjalën e saj në konferencën e mbajtur me avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit dhe Jamarbër Malltezit, Argita theksoi se çështja ndaj tyre ka për qëllim goditjen politike.

“Klubi partizan nuk dihet nëse ka qenë apo jo në planin e përhapjes. Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë nën masë sigurie pa prova në një çështje që nisi nga diskutimi politik. Çështja ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit është nën diktatin politik dhe ka për qëllim goditjen politike. Dekretet presidenciale provojnë që klubi i Partizanit nuk ka qenë kurrë në planin e përhapjes që prej 2004-ës.

Këtë gjë e certifikon edhe OPGJ-ja e dosjes. Klubi i futbollit shërben si lokacion dhe jo si objekt.

Pronarët dhe dokumentacionet që SPAK ka në dosje e kanë kërkuar pronën  që në ’93, iu është njohur në ’93-96 dhe iu është dhënë e drejta e parablerjes, ka filluar kthimi i pronës që ka vazhduar deri në 2007-ën.

SPAK kërkon të krijojë tymnajë sikur klubet funksionon normalisht. Çështja ndaj Berishës dhe Malltezit është nën diktatin politik dhe ka për qëllim goditjen politike.

Shteti nuk ka dëm nga privatizimi i klubit Partizani, përkundrazi kur privatizoi për godinat arriti të marrë 800 mijë dollarë”, u shpreh ajo para mediave.

Ndërsa avokati i Berishës, Genc Gjokutaj e konsideroi vendimin për Berishën dhe Malltezin si antikushtetues. Ai theksoi se nuk ka prova që Sa;li Berisha të mbahet në arrest shtëpie, ndërsa shtoi se vendimi ndaj tij është bërë me urdhër politik të Kryeministrit Edi Rama.

“Lideri i opozitës ndodhet në arrest shtëpie ndërkohë që çështja është nën hetim.

Kemi kërkuar zëvendësimim të masës dhe konstatimin e pavlefshmërisë së arrestit në shtëpi. Propozimi për mbajtjen e masave shtrënguese nuk ka asnjë arsye se si Berisha mund të dëmtojë provat duke shkuar në Parlament. Për ironi të fatit apo të SPAK dhe GJKKO që në rastin konkret janë bashkëpunëtor në një çështje të paligjshme në shkelje të kushtetutës.

Masa e arrestit të Berishës është vendosur dy muaj pasi ai ka qenë në masën detyrim paraqitje. Prokurorët kanë konfirmuar faktin se z. Berisha nuk ka prishur asnjë provë.

Ende mbeten të fshehura nga SPAK 350 kontrata të shitjeve që në gropë të ndërtesave në 2010-2012 që siguruan vetëfinancimin e projektit. Vendimi ndaj Sali Berishës është antikushtetues. Masat e sigurisë janë vendosur pa marrë fare në pyetje Berishën dhe Malltezin, që është shkelje e Kushtetutës. Nuk u gjet asnjë provë ndaj Berishës dhe Malltezit, që të jenë fajtorë”, tha ai.

Berisha e Malltezi kërkojnë heqjen e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg.

Ndërsa Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u la në arrest shtëpie, pasi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme