Mazhoranca dhe opozita pranë dakordësisë – Çuçi dhe Bardhi negociata për reformën zgjedhore

Mazhoranca dhe një pjesë e opozitës janë shumë afër dakordësisë për të kthyer në normalitet veprimtarinë e parlamentit pas 5 muaj krize.
Burime pranë RTSH-së thanë se Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Bledi Çuçi është takuar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me homologun e tij demokrat, Gazment Bardhi.
Sipas burimeve ata janë shumë pranë marrëveshjes politike, duke negociuar kërkesat e deputetëve mbështetës së ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Kreut të Grupit Parlamentar demokrat Bardhi, për ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare, sikundër rikompozim të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore dhe ndryshimin e bashkë kryesimit të tij nga opozita, duke propozuar emrin e Oerd Bylykbashit në vend të Enkelejd Alibeajt.
Burime thanë për RTSH-në se palët janë shprehur parimisht dakord që reforma zgjedhore të realizohet nga një nënkomision i komisionit parlamentar të ligjeve. Duke patur si argument që komisioni i posaçëm, të cilit i përfundon mandati në fund të këtij muaji, nuk e përmbushi misionin e tij.
Deputetët e opozitës do të propozojnë anëtarët që do të angazhohen për reformën në këtë format, duke ja dalë në këtë mënyrë të shmangin rolin dhe veton e Alibeajt në komisionin e reformës zgjedhore.
Megjithatë burime thanë se deputetët e Berishës dhe të Bardhit, janë të gatshëm që Bashës t’i lejnë një përfaqësues në këtë komision.
Të njëjtat burime thanë për RTSH-në së Çuçi krahas Bardhit, ka takuar edhe Damian Gjiknurin bashkëkryetarin socialist të reformës zgjedhore.
Ende nuk dihet se cilat do të jenë komisionet hetimore parlamentare që do të ngrihen.
Opozita më herët ka kërkuar ngritjen e 8 komisioneve hetimore me prioritet, atë McGonigal, të sistemit TIMS si edhe të Sterilizimit.
Burime thanë për RTSH-në se palët mund të bien dakord për ngritjen 1 ose 2 komisioneve hetimore , por ende nuk bëhet e qartë se për cilin objekt hetimor do të gjejnë konsensus.
Gazetare: Anisa Kadesha
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




