Kryebashkiakët e opozitës pas takimit me Ramën, Curri: Për hallet e qytetarëve nuk ka ngjyra politike

Politikë | 3 vite më parë

Kryebashkiakë të opozitës, të cilët merrnin pjesë në mbledhjen me kryeministrin Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritar, vlerësuan se në këtë takim është folur për problemet me të cilat ndeshen qytetarët, mënyrat e zgjidhjes së tyre, dhe se për zgjidhjen e tyre nuk duhen parë ngjyrat politike.  

Kryebashkiaku i Fushë- Arrëzit, Hil Curri, në përfundim të mbledhjes, në një prononcim për mediat, u shpreh se asnjë nuk e ka parë takimin në aspektin politik sepse, sipas tij, problematikat e qytetarëve janë më të rëndësishme.

“Nuk e pamë takimin në aspektin politik sepse problemet e qytetarëve janë më të rëndësishme. Diskutuam, sepse bashkitë e vogla kanë paga më të ulëta, shpërndarje buxheti në bazë të numrit të popullsisë, gjë që nuk i favorizon. Ne jemi përfaqësues të qytetarëve dhe duhet të jemi kur kryeministri dhe ministrat na kërkojnë për takime”, tha Curri.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit mbi shpërblimet që do kenë bashkitë me performancën më të mirë, Curri tha se një rezultat i tillë mund të arrihet vetëm nga bashkitë e mëdha dhe jo të voglat.

Sipas tij, në bashkitë e vogla që drejtojnë krye-bashkiakët e opozitës, kanë mungesa të buxhetit, ndërsa të mëdhatë, kanë teprica.

“Paraqitjen më të mirë e kanë dhe do ta kenë bashkitë e mëdha. Nëse shpërndarja do jetë ndryshe, nëpërmjet riskut që ka një bashki, do të ndryshojnë treguesit e paraqitjes. Ka bashki që kanë teprica në buxheti, kurse ne jemi me mungesa”, përfundoi Curri.

Kryebashkiaku i Kavajës: morëm garanci nga kryeministri, por veprat do ta tregojnë

Edhe kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja u shpreh optimist pas takimit me kryeministrin Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar ku ndodheshin të 61 kryetarët e bashkive.

“Bashkë me kolegët ishim në mbledhjen e përbashkët të 61 kryetarëve të bashkisë e qeverisë për të bashkërenduar punën. Nuk kemi ndasi politike kur vjen puna për interesat e qytetarëve. Për arsye politike e kemi treguar më 14 maj se kush jemi. Nuk është çudi se pse të ishim këtu për të mirën e qytetarëve që na kanë zgjedhur”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut të Kavajës, secili prej kryebashkiakëve të opozitës paraqiti kërkesat, të cilat u shqyrtuan.

“Nuk e di se sa qeveria do të reagojë. Garancia ishte e kryeministrit, por veprat do e tregojnë. Kam besim” tha ai për gazetarët.

 /rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme