Negociata mes PS-së dhe Rithemelimit, synohet të kthehet normaliteti në Kuvend, mbështetet nga BE

Politikë | 3 vite më parë

Deklarata e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalit sot (7 mars) në parlament tregoi qartë së PS dhe opozita e Rithemelimit kanë nisur bisedimet në distancë për të rikthyer parlamentin në funksione politike të plota.

Burimet pranë grupeve parlamentare të parlamentit konfirmuan për Radio Televizonin publik Shqiptar se ka një afrim të kujdesshëm të socialistëve që janë të interesuar për një jetë paqësore në Kuvend pas 5 muaj bllokimi të vazhdueshëm.

Por, deklaratat e Spiropalit sot në Kuvend nuk ishin sinjalet e vetme për nisjen e një kanali të ri komunikimi.

Edhe Gazment Bardhi tha dje se kjo pjesë e PD-së është e gatshme të rikthehet në parlament me funksione të plota, nëse PS garanton plotësimin e kushteve të opozitës për hetim parlamentar dhe për balanca në Komisionin e Reformës.

Që prej 16 janarit kur disa diplomatë të lartë reaguan ashpër për klimën e krijuar në kuvend, palët duket se nuk kanë ndenjur duarkryq, por kanë bërë llogari për të arritur secila objektivat e veta.

Por pika me delikate do të jetë mënyra si do të përgatitet ligji i ardhshëm zgjedhor.

Rithemelimi apo PD zyrtare kanë qëndrime të kundërta, gati asgjësuese për përbërjen e komisionit, ç’ka do të vendosë në provë edhe socialistët, por do të nxjerrë në sipërfaqe edhe presionin e OSBE-ODIHR që është i prerë në kërkesën e tij, se në zgjedhjet e ardhshme duhet të shkohet me ligj të ri elektoral.

RTSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme