Sulmi rus në Odesa, Rama: Provokime të pamatura, rrezikuan jetën e Mitsotakis dhe Zelenskit

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si provokime të pamatura dhe të rrezikshme sulmet ruse në Odesa shumë afër ku kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillonin një takim.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmin me raketa ruse në Odessa që rrezikoi jetën e kryeministrit Mitsotakis të Greqisë, mikut dhe aleatit të përkushtuar të NATO-s dhe Presidentit Zelensky, të cilin pata kënaqësinë ta prisja javën e kaluar në Tiranë. Këto janë provokime të pamatura dhe të rrezikshme”, shkruan Rama në platformën X.
Shpërthimet tronditën qytetin port jugor të Ukrainës, Odesa, teksa Presidenti Volodymyr Zelensky po takohej me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Marina e Ukrainës tha se nga sulmet ruse u vranë 5 persona, ndërsa nuk pati të lënduar nga delegacioni grek.
“Dëgjuam zhurmën e sirenave dhe shpërthimeve që ndodhën pranë nesh. Nuk patëm kohë të shkonim në një strehë. Është vërtet ndryshe të lexosh për luftën në gazeta dhe ta dëgjosh me veshët e tu, ta shohësh me sytë e tu”, tha kryeministri grek.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




