Meta nga Berati: Do i drejtohemi Kushtetueses, qeveria shkeli ligjin e pensioneve

Partia e Lirisë ka bindjen se qeveria aktuale e ka objektiv shpopullimin e vendit, ndaj ka kërkuar veç qytetarëve, edhe rininë e diasporën për ta ndalur këtë përpjekje.
Gjatë një takimi me strukturat e partisë në qarkun e Beratit, kryetari i PL-së, Ilir Meta, veçoi Beratin si qytetin më të diskriminuar dhe të dëmtuar nga politikat e socialistëve në pushtet.
“Berati është qarku me rënien më të lartë të lindjeve, me 17 për qind në shkallë vendi, ndërkohë që mesatarja është 12.7 për qind. Berati rezulton me numrin më të pakët të fëmijëve, 20 për qind në shkallë vendi. Nëse në vitin 2021, Berati ishte qarku i dytë për tkurrjen e popullsisë, me 2,1% dhe 2.500 veta, në vitin 2022, sërish renditej i dyti, por me 3.600 persona të larguar nga qarku. Po kështu për sa i takon biznesit. Berati është qarku i dytë me ritmin e mbylljes së njësive të vogla të biznesit, ku nga 2017 deri në 2021, bizneset e vogla ranë me 13 për qind. Për sa i takon infrastrukturës, dihet që është ndër qarqet që ka përfituar më pak dhe më i diskriminuar. Të gjitha këto rëndojnë mbi familjet e Beratit. Qarku i Beratit rezulton i dyti për sa i përket nivelit të vetëvrasjeve me 12,8 persona të vetëvrarë për 100 mijë banorë. Berati renditet i dyti në nivel qarqesh për numrin e aborteve dhe po kështu qarku i beratit është në krye për sa i takon numrit të divorceve. Këto tregojnë një situatë ekonomike-sociale dhe familjare tepër të rëndë në këtë qark. Qytetarët e beratit nuk kanë asnjë shpresë për të marrë shërbimet e kërkuara nga bashkia. Një arsye pse këto zona po shpopullohen është centralizimi i shërbimeve,” tha kryetari i PL-së.
Sipas z. Meta, rinia duhet të përfshihet në përpjekjet e opozitës për ndryshim.
“… të mos mendojnë se largimin nga vendimi është zgjidhja për ta dhe së dyti të bëjmë ç’është e mundur për të rritur angazhimin e diasporës sonë. Ne kemi qenë dhe jemi të vendosur për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, sepse kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm dhe zgjidhja nuk është kurrë largimi. Që shqiptarët të largohen nga vendi është vetëm objektivi i Rilindjes,” u shpreh kryetari i PL-së.
Partia e Lirisë zbuloi se shtresa e pensionistëve do të ketë mbështetje të veçantë dhe do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të gjetur drejtësinë e munguar deri tani.
“Do të propozojmë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim për llogaritjen e indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar edhe rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë, sepse rreth 60 për qind e shpenzimeve të një pensionisti sot shkon vetëm për ushqimin pa llogaritur barnat. Do t’i propozojmë Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga qeveria për mosindeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin ekzistues, sepse kanë shkelur ligjin. Do t’i propozojmë Gjykatës Kushtetuese që pas gjykimit të mësipërm do të kërkojmë rimbursimin e plotë të pensioneve për rritjen e munguar për periudhën 2013–2023, pra rritjen e munguar ose më saktë vjedhjen e mirëplanifikuar,” deklaroi z. Meta.
“Bashkë kemi bërë disa beteja dhe treguam më së miri megjithëse ishim pa komisionerë, pa numërues, se mundëm ta fitojmë bashkinë e Kuçovës,” u shpreh z. Maliqi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




