PL propozon rishikim të legjislacionit, kërkon vendosjen e referendumeve lokale

Reforma territoriale dhe sfidat e qeverisjes vendore mbeten angazhim i Partisë së Lirisë (PL).
Kjo forcë politike pritet të propozojë rishikimin e legjislacionit me qëllim vendosjen e ligjit për referendumet apo përforcimin e autonomisë vendore.
Propozimet i bëri të ditura Silva Caka, sekretare për marrëdhëniet me publikun në PL.
“Së pari, vendosjen me ligj të referendumeve lokale si zgjidhje për të gjitha çështjet që cenojnë autonominë e pushtetit lokal dhe përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve. Moto e qeverisjes vendore të jetë në përputhje me nenin Nr. 5 të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Europës: ‘Janë qytetarët ata që vendosin për administrimin e njësive të vetëqeverisjes vendore’.
Së dyti, rishikim i legjislacionit për të forcuar autonominë vendore, duke u dhënë atyre më shumë fuqi për të vendosur për politikat e tyre fiskale dhe për të menaxhuar të ardhurat dhe shpenzimet në mënyrë më efikase. Kjo do të ndihmonte në zvogëlimin e varësisë nga qeveria qendrore dhe do të nxisë një menaxhim më të përgjegjshëm financiar në nivel lokal.
Së treti, propozimi i një reforme që rishikon dhe zgjeron rolin dhe kompetencat e Këshillave të Qarqeve, duke i bërë ato më relevante në kontekstin e decentralizimit dhe zhvillimit rajonal për të marrë një rol proaktiv në hartimin e strategjive rajonale të zhvillimit që përfshijnë më shumë se një bashki.
Për ne, qeverisja vendore është hallka më e rëndësishme në përditshmërinë e jetës së qytetarëve dhe si e tillë nuk meriton të trajtohet si rudiment i qeverisë qendrore, por nëpërmjet forcimit të autonomisë së saj, të përmirësohet cilësia e jetës së të gjithë shqiptarëve,” u shpreh znj. Caka.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




