“Miratoni rritjen në Ballkan”- 6 ministra të jashtëm dhe kryediplomati grek i drejtohen institucioneve europiane

Shtatë ministra të jashtëm e të çështjeve europiane nga vendet anëtare të BE-së, mes tyre edhe ministri i jashtëm Grek, i kërkojnë institucioneve europiane të shpejtojnë bisedimet ndërinstitucionale që të miratojnë mekanizmin financiar të Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor.
I prezantuar si propozim i Komisionit europian dhe miratuar në konkluzionet 14-15 dhjetorit të kaluar plani shihet si riformatim i zgjerimit të BE-së me flexibilitete integrimi në fusha të caktuar për secilin vend që arrin disa standarde.
“Nëse zbatohet me sukses, do të kontribuojë në nxitjen e konvergjencës socio-ekonomike, duke trajtuar ikjen e trurit nga rajoni, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e saj dhe mbështetjen e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimi në BE. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, siç nënvizohet në deklaratën e tyre të përbashkët të 22 Janar 2024, kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për objektivat e Planit të Rritjes dhe gatishmërinë e tyre për ta zbatuar atë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, thuhet në kërkesën e ministrave.
Por mundësia që shohin ministrat europianë është e lidhur me miratimin në Parlamentin Europian brenda këtij mandati.
“Aktualisht është duke u diskutuar rregulloja e planit të rritjes dhe ka një mbështetje nga PE kështu që mendoj se do të kemi miratimin e saj, por ndërkohë kërkohet një ndryshim në buxhetin BE që përsëri do të vijë nga Parlamenti Europian”, u shpreh eksperti për çështjet e integrimit, Gledis Gjipali.
Parlamenti Europian pritet të jetë funksional deri në fund të muajit prill.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




