Ligji për Zonat e Mbrojtura, PD: Deputetë të opozitës paguhen nga klientët e qeverisë për të shkaktuar trazira në Kuvend

Partia Demokratike e cilëson ligjin për Zonat e Mbrojtura në shërbim të interesave klienteliste duke dëmtuar trashëgimin kulturore të vendit. Përmes zëdhënëses Mirela Karabina, PD akuzon qeverinë se ktheu territoret e mbrojtura në troje për ndërtim në shërbim të klientëve të saj.
PD hedh akuza edhe për “Rithemelimin” duke thënë se paguhet nga këto klientë pikërisht për të mbajtur gjallë konfliktet brenda opozitës dhe për të mos lejuar zhvillimin normal të seancave parlamentare me qëllimin e vetëm që ligjet të kalojën pa diskutime.
“Ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura është një akt i rëndë i kësaj qeverie, që bëhet vetëm për interesa të ngushta dhe klienteliste, në dëm të trashëgimisë sonë kulturore, të interesit publik dhe të qytetarëve. Zhurma e shkaktuar në Parlament dhe mosfunksionimi normal i Komisioneve Parlamentare, i pamundësojnë publikut që të kuptojë se çfarë bëhet, ndaj kjo mënyrë është një e keqe që vijon prej muajsh në dobi të një grupi të vogël dhe në dëm të qytetarëve të shumtë.
Ky vendim i paprecedent i mazhorancës socialiste, si qëllim të vetëm ka kthimin nga territore të mbrojtura në TROJE për ndërtim, në shërbim të klientëve të saj, të cilët, lekët që marrin nga qeveria, i investojnë për të mbajtur gjallë konfliktin në radhët e opozitës. Akti i qeverisë nuk është vetëm i rëndë, por ai cenon edhe qëndrueshmërinë afatgjate të mjedisit dhe të trashëgimisë kulturore. Ai i shërben vetëm një grushti të vogël interesash, të lidhur ca me qeverinë ca me ata që në Parlament i mundësojnë qeverisë t’i kalojë këto ligje pa debat dhe pa diskutime”, tha Karabina.
Sipas PD ligji i ri për zonat e mbrojtura i heq kompetencat ekspertëve dhe studiuesve për të përcaktuar se cila është e nevojshëm të ruhet si trashëgimi kulturore dhe kush habitat duhen mbrojtur.
“Atë çfarë do Edi Rama të arrijë, ia mundëson kjo mënyrë veprimi, e stisur nga interesa personale, ndërsa për publikun ky është një dëm i madh, i parikuperueshëm dhe me pasoja për të ardhmen. Për të kuptuar se çfarë mazhoranca ka votuar në kaosin e rrëmujës, është me rëndësi të sqarohet se qeveria i ka hequr kompetencat ekspertëve dhe studiuesve për të përcaktuar se cilat janë rezervat natyrore, të cilat është e nevojshme për t’u ruajtur si trashëgimi, por, në radhë të parë, për të siguruar jetëgjatësinë e habitateve që njerëzit i kanë ruajtur ndër shekuj”, shtoi Karabina.
Në fund Karabina thotë se ky ligj do të shfuqizohet sapo PD të vij në pushtet dhe subjektet që kanë përfituar do i nënshtrohen ligjit antimafia.
“Partia Demokratike është e vendosur, ndaj në momentin e parë që ajo do të vijë në pushtet, do ta shfuqizojë këtë ligj. Zotohemi se subjektet që do të përfitojnë nga ky ligj, do t’i nënshtrohen praktikave më të avancuara të ligjit antimafia. Ky është një zotim publik që Partia Demokratike e Shqipërisë ndërmerr dhe do të bëhet realitet në momentin e parë të mundshëm”, tha Karabina.
Në seancën e 22 shkurtit, mazhoranca miratuar me 74 vota pro projektligjin për Zonat e Mbrojtura, ndonëse ky ligj u kundështua nga opozita dhe organizatat kryesore mjedisore shqiptare të cilat protestuan para Parlamentit kundër miratimit të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



