Samiti BE–Ballkani Perëndimor, mbërrijnë në Pallatin e Kongreseve liderët e vendeve pjesëmarrëse

Tirana do të mbajë këtë të enjte (29 shkurt) Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ndërsa liderët e vendeve pjesëmarrëse kanë mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku janë pritur në hyrje nga kryeministri Edi Rama.
Në Samit do marrë pjesë gjithashtu edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Oliver Varhei (Varhelyi). Kujtojmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të mungojë, teksa do të bëhet pjesë përmes një videomesazhi. Po ashtu edhe nga Mali i Zi nuk do të ketë përfaqësues, teksa për Maqedoninë e Veriut do të jetë i pranishëm kryeministri Talat Xhaferi.
Në këtë Samit do të diskutohet lidhur me Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit. Po ashtu pritet të firmoset marrëveshja mes Ministres së Arsimit, Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Rektores së Kolegjit të Evropës Federika Mogerini (Federica Mogherini).
Një ditë më parë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vizitoi Shqipërinë, ku mori pjesë në samitin “Ukraina–Europa juglindore”. Në fokus të këtij samiti ishte ndihma ndaj Ukrainës, vend i cili prej dy vitesh përballet me agresionin dhe luftën e Rusisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



