Samiti Ukrianë- Evropa Juglindore, Erdogan: Në parim, ne mbështesim planin me 10 pika të paqes të Presidentit Zelenski

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nëpërmjet një video-mesazhi, ka përshëndetur samitin Ukrainë – Evropa Juglindore, që po zhvillohet të mërkurën në Tiranë.
Edhe në këtë video-mesazh, Erdogan theksoi se “Turqia mbështet Pavarësinë e Ukrainës, sigurinë dhe sovranitetin territorial”.
“Ne po bëjmë gjithçka të mundur që të mbrojmë të drejtat e tatarëve të Krimesë. Ne do të marrim pjesë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shpejtë të Ukrainës. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, ndonëse asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të vendosur paqen. Unë vijoj që të ruaj vizionin tim për të pasur një paqe të gjatë për t’i zgjidhur gjërat me diplomaci dhe t’i japim një shans dialogut”, tha Erdogan.
Sipas tij, duhen të përdorim të gjitha kanalet diplomatike për të arritur qëllimet për paqe.
“Unë besoj në përpjekjet tona të përbashkëta për të caktuar një kornizë të përgjithshme të paqes. Në parim, ne mbështesim planin me 10 pika të paqes të Presidentit Zelenski. Ne gjithashtu, kemi qenë mbështetës të planit të tij për të garantuar sigurinë ushqimore. Që Plani i Paqes të ketë sukses, ai duhet të përfshijë të gjitha palët. Nisma e grurit e Detit të Zi, e cila është themeluar me përpjekjet tona të përbashkëta, duhet të jetë në agjendë. Duhet të ketë përpjekje të përbashkëta për të garantuar lundrimin në Detin e Zi. Ne mbetemi në kontakt me palët në Detin e Zi dhe do të punojmë për vendosjen e sigurisë”, theksoi Erdogan.
Në Tiranë po zhvillohet sot samiti Ukrainë – Evropa Juglindore. Ky samit zhvillohet si një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive të vendeve kundër agresionit rus.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




