Reforma Zgjedhore, Celibashi: Rreth 70- 80 partive politike nuk u dihet adresa, s’paraqesin as kandidatë në zgjedhje

Ndryshimi i sistemit në Shqipëri nga diktaturë në demokraci, në fillimet e këtyre ndryshimeve u shoqërua edhe me krijimin e shumë partive. Fillimisht procedurat ishin shumë të thjeshta mjaftonte një grup nismëtarësh, disa firma dhe regjistrimi ishte thuajse automatik në gjykatë.
Kjo bëri që në vendin tonë të krijoheshin qindra parti politike, afërsisht 137 sipas të dhënave në gjykatë, një numër ky mjaft i lartë për frymë popullsie.
Me kalimin e viteve shumë parti politike thuajse dolën tërësisht nga skena politike, shumë të tjera janë bërë të paqena. Vetëm disa parti kanë mundur të mbijetojnë, dhe kjo më së shumti falë aleancave ndër vite me dy partitë e mëdha politike në vend PS dhe PD.
Pas 33 vitesh realiteti ka ndryshuar shumë, por numri i partive në dokumentat e gjykatës dhe emërtesat e tyre nuk kanë pësuar ndonjë ulje.
Këtë realitet është detyruar ta pranojë edhe vetë kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili, një ditë më parë deklaroi në mbledhjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore se: “rreth 70- 80 partive politike nuk i dihet as adresa”.
Sipas tij, partitë politike që nuk janë regjistruar në 2 zgjedhjet e fundit dhe që nuk janë financuar nga buxheti i shtetit nuk duhet t’i nënshtrohen auditimit.
“Rreth 70-80 partive politike nuk i dihet as adresa. Ndërkohë që KQZ angazhon burime njerëzore dhe financiare për auditimin e tyre. Mendoj që partitë që në 3 zgjedhjet e fundit që nuk kanë marrë asnjë mandat duhet të paraqesin listë me firma mbështetësish, pasi regjistrohen dhe nuk paraqesin kandidatë. Ndërkohë KQZ angazhohet për të kryer procedurat e përcaktuara në ligj për regjistrimin e tyre.”, tha Celibashi.
Ai ka propozuar që partitë që nuk kanë marrë pjesë në 3 zgjedhjet e fundit, nënshkrimet do të duhet t’i paraqesin që në momentin që paraqesin kërkesën për regjistrim në zgjedhje.
/rtsh.al/ a.meta/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




