Votimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët, Meloni: Falënderoj Ramën dhe institucionet

Politikë | 3 vite më parë

Miratimi nga parlamenti shqiptar i marrëveshjes së emigrantëve të paligjshëm mes Shqipërisë dhe Italisë, është vlerësuar dhe përshëndetur të enjten edhe nga kryeministrja e Italisë, Xhorxhia Meloni (Georgia Meloni).

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Meloni ka falënderuar kryeministrin, Edi Rama dhe institucionet për bashkëpunimin, gjë që mundësoi edhe votimin pro marrëveshjes nga ana e parlamentit.

 “Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë kundër imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Falënderojmë kryeministrin Edi Rama, institucionet dhe popullin shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimin.”, shkruan Meloni.

Pas votimit në Kuvend të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigracionin e paligjshëm reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale edhe kryeministri, Edi Rama.

Rama: Shqipëria mbështet Italinë dhe vepron si një vend anëtar i BE-së

Sipas tij, Shqipëria mbështet Italinë dhe vepron si një vend anëtar i BE-së, duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje, përballë një sfide që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta

“Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria mbështet Italinë dhe vepron si një vend anëtar i BE-së, duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje, përballë një sfide që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta. Punojmë së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, pa e lënë këtë çështje të përdoret si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që rrisin ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt.  Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të zvogëlojë vështirësinë e kësaj sfide dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyrë demode e të menduarit nuk mund të na shpëtojë nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet.  Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane besnike ndaj vetvetes, mundet.”, shkruajti Rama në X.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme